Zharku thotë se Ministria s’ka pasur të drejtë lidhjen e marrëveshjes së 53-milionëshit

(Lajm i përditësuar)


Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, duke dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “53-milionëshi”, tha se Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga tani ish-ministri Pal Lekaj nuk ka pasur të drejtë të nënshkruajë marrëveshjen e “53-milionëshit”.

“Jo, me arsye për shkak se menaxheri i kontratës është ai që përcakton koston e saj, në këtë rast kompania Hill International”, u përgjigj Zharku.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani, Zharku tha se për marrëveshjen e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe “Bechtel-Enkas”, kishin diskutuar vetëm në Kuvend gjatë interpelancës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kurse, i pyetur nga gjykatësja Namani se a kishte të drejtë Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga tani i akuzuari Lekaj të lidhte një marrëveshje pa kosto, ai tha se beson që është gabim një gjë e tillë.

“Tjetër është e drejta, gabim është lidhja e një kontrate të tillë pa kosto, me arsyen për shkak se nuk e keni definu koston, pastaj ju i hapni rrugë për ridefinim ose rishqyrtim të asaj kostoje”, u përgjigj Zharku.

Ai tha se në bazë të gjendjes si e kishte lënë Ministrinë, nuk ka qenë e nevojshme të bëhet pagesa prej 53 milionë euro, por se kjo ishte keqmenaxhim.

“Keqmenaxhim, duke ju referuar nënshkrimit të një shume që ka qenë në kundërshtim me kontratën dhe rekomandimit të dhënë nga kompania mbikëqyrëse Hill International”, tha ai.

Ai shtoi se në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë ta procedojë pa mendimin e kompanisë.

“Është çështje ligjore ajo dhe s’ka pas të drejtë me procedu pa mendimin e kompanisë Hill International. Nuk keni të drejtë me bo pa menaxherin e kontratës, për shkak se nëse shkoni në Arbitrazh, ata duhet me mbrojtë”, tha ai.

Dëshmia e Zharkut pritet të vazhdojë edhe në sesionin e pasdites së kësaj seance.


Zharku dëshmon për 53-milionëshin

Të hënën ka nisur dëshminë ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, për rastin e 53 milionë eurove. Para tij ka dëshmuar ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit Pal Lekaj, Argjend Zenaj.

Zharku ka deklaruar se Ministria s’ka pasur të drejtë të nënshkruajë vendimin për ndarjen e 53 milionëve eurove.

“Nënshkrimi i shumës ka qenë në kundërshtim me kontratën dhe rekomandimit të dhënë nga kompania mbikëqyrëse ‘Hill International’”, ka thënë ai.

Për këtë rast ditë më parë ka dëshmuar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se vendimi për ndarjen e 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel-Enka ishte i drejtë.

Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konsorciumun “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, është një nga aferat më të diskutuara në Kosovë.

Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekaj, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Back to top button