Zhbllokohen subvencionet për bujqit. Unanimisht votohet propozim-Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural
Mbi 20 mijë familje që jetojnë nga prodhimtaria tradicionale e duhanit ose gjithsej 70 mijë familje që merren me bujqësi, tashmë 4 muaj po presin t’i marrin subvencionet e tyre. Distanconi politikën nga bujqësia, sidomos në kushte krize dhe lufte, porositi ministri i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, Lupço Nikollovski.
“Me përgjegjësi të plotë pohoj se të hollat për pagesën e subvencioneve të kultivuesve të duhanit, në buxhetin janë siguruar që para 3 muajve dhe nuk janë paguar. Për këtë nuk na duhet ribalanc”, tha Nikollovski.
“Duhet të paguhen një miliardë e 300 milionë denarë. Agjencia për Mbështetje Financiare është e gatshme menjëherë pasi të sillet kjo zgjidhje ligjore. Sipas dispozitës që është vendosur në këtë ligj, çdo vit paguhen në mënyrë të pandërprerë tashmë 15 vite me radhë. Deri në vitin 2021 nuk kishim asnjë problem”, tha Nikica Baçovski, drejtor i Agjencisë për Mbështetje Financiare.
Në shkurt, para deputetëve ishte dorëzuar propozim për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Zhvillim Rural. Ndryshimi teknik mundëson që menjëherë të nesërmen pasi Presidenti ta nënshkruajë ligjin, të fillojë pagesa e subvencioneve, e cila tradicionalisht fillon me kultivuesit e duhanit. Megjithatë, me muaj të tërë assesi të thirret komisioni amë në Kuvend.
Por, sot pasdite me 90 vota “për”, pa asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, Kuvendi në kuadër të seancës së 64-të e solli Propozim-Ligjin për Ndryshim dhe Plotësim të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural edhe atë me procedurë të shkurtuar. Si propozues paraqitet grupi i deputetëve nga shumica qeverisëse.
“Edhe përkundër të gjitha dezinformatave, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni “Ripërtëritja e Maqedonisë” jep mbështetje të plotë për propozim-ligjin. Megjithatë, kemi vërejtje të caktuara. Pushteti nuk është i aftë, nuk tregon interes për punë dhe zgjidhja është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe të shpejta”, tha Dafina Jovanoska-Stojanova, VMRO-DPMNE.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së, gjatë debatit folën për problemet aktuale të bujqve në vend, duke thënë se LSDM-ja dhe BDI-ja kanë pasur mundësi që t’i përmirësojnë gjërat, por nuk kanë bërë asgjë. Ata rikujtuan për trajtimin ndaj fermerëve, subvencionet e papaguara për vitin 2019, 2020 dhe 2021 dhe theksuan se bujqit meritojnë që t’i marrin këto mjete./TV21
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?