Zhegrova mund t’i bashkohet rivalit të Juventusit

E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi mbetet e paqartë, ndërsa në garë për shërbimet e reprezentuesit të Kosovës ka hyrë edhe Fiorentina.
Sipas raportimeve të “Football Italia”, klubi nga Firenca po shqyrton mundësinë e transferimit të 27-vjeçarit, i cili nuk ka arritur të sigurojë hapësirat e dëshiruara në sezonin e tij të parë me fanellën bardhezi.
Zhegrova iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga Lille, por një lëndim serioz dhe konkurrenca e madhe në repartin ofensiv bënë që ai të kishte një sezon zhgënjyes, duke regjistruar vetëm 19 paraqitje në Serie A, kryesisht si zëvendësues, pa arritur të shënojë apo të asistojë.
Përveç Fiorentinës, në javët e fundit interesim për futbollistin kosovar kanë shfaqur edhe disa klube turke. Megjithatë, Fiorentina shihet si një opsion që mund t’i ofrojë Zhegrovës mundësinë për të mbetur në Serie A dhe për të rigjetur formën që e bëri një nga lojtarët më të spikatur të Kosovës dhe Lille.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?