Kaloni te përmbajtja kryesore

Vdiq në një aksident trafiku një polic në Vërmicë

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e para të së hënës në pikën kufitare në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Policisë ai është goditur nga një veturë të cilën e drejtonte një shtetas i Shqipërisë.

“Me datë 29.06.2026, në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 02:30, në afërsi të pikë-kalimit kufitar në Vërmicë, Komuna e Prizrenit, ka ndodhur një aksident trafiku me pasojë vdekjen e këmbësorit. Viktima është zyrtar policor R.G., 59 vjeçar i angazhuar në detyrë në pikën kufitare në Vërmicë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aksidenti thuhet se ka ndodhur gjatë kohës kur polici ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikë-kalimit kufitar dhe në një moment ka tentuar të kalojë rrugën.

“Në atë çast, nga drejtimi Prizren – Vërmicë, ka ardhur një automjet i cili, duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e ka goditur viktimën me pjesën e përparme të automjetit. Si pasojë, këmbësori ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor të Prizrenit (NJRTRR) si dhe ekipi i emergjencës të cilët edhe kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa ngasësi i automjetit, D.D. është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Rasti thuhet se i është referuar Prokurorisë Themelore në Prizren.

Për vdekjen e pjesëtarit të Policisë kanë shkruar edhe familjarët.

“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri (vëllai) ynë Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button