Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor temë kyçe e kryediplomatëve të BE-së

Ministrat e punëve të jashtme të BE-së do të mblidhen të hënën me 14 nëntor . Siç bëhet e ditur në webfaqen e Këshillit të BE-së, takimi do të jetë i kryesuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, e në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, krahas diskutimit për agresionin rus kundër Ukrainës e temave të tjera.
Dinamizmi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit të djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčák.
Zyra e kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se gjatë takimit Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Në anën tjetër Bashkimi Evropian përmes një komunikate ka thënë se serbët e Kosvës duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës, kurse Kosova të angazhohet në nisjen e negociatave për themelimin e Asociacionit.
Kurse kryeministri i Kosovës është shprehur kundër formimit të Asociacionit mbi baza etnike./21Media

Back to top button