Zhvillimi i politikave fiskale synon lehtësimin e të bërit biznes

Gashi tha se krijimi i një ambienti të mirë për bizneset reflekton në rritjen e vendeve të punës dhe rritje ekonomike

Funksionalizimi i ekonomisë së tregut dhe reformat në politikat fiskale të vendit janë të domosdoshme për lehtësimin e të bërit biznes por edhe për fuqizimin e sektorit privat në Kosovë.

Kjo u tha gjatë një takimi të Ministrit të Financave, Bedri Hamza me drejtuesit e kompanive anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka shprehu gatishmërinë e Odës Amerikane për të kontribuar me rekomandime për procesin e plotësim-ndryshimit të legjislacionit tatimor.

Ai shprehu shqetësimet e Odës Amerikane për sa i përket menaxhimit të parasë publike, veçanërisht disa vendimeve, të cilat mund të çojnë në rritjen e ngarkesës fiskale për bizneset.

Zëvendëspresidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Hakif Gashi tha se krijimi i një ambienti të mirë për bizneset reflekton në rritjen e vendeve të punës dhe rritje ekonomike të vendit.

Ai shtoi si primare zhvillimin e politikave të mirëfillta fiskale në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë, por edhe zgjerimin e kompanive kosovare në rajon.

Ministri i Financave, Bedri Hamza sqaroi se rrezikimi i stabilitetit makrofiskal në Kosovë mund të krijojë probleme si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Ai tha se synim i Ministrisë së Financave vazhdon të mbetet përkrahja e sektorit privat në lehtësimin e eksportimit të produkteve në tregun rajonal duke u shprehur se ky ka qenë edhe qëllimi i masave fiskale të zbatuara nga ana e Ministrisë së Financave për lirime doganore dhe shkurtim të procedurave doganore.

Hamza njoftoi se MF është duke punuar në ndryshimin e legjislacionit tatimor në përputhje me direktivat e BE-së.

Ndryshe, bizneset e pranishme në takim përgëzuan ministrin Hamza për vendimet e ndërmarra nga ministria që ai drejton për lehtësira fiskale me ndikim të dukshëm në fuqizimin e tyre, por edhe në qartësimin dhe aplikimin e drejt të legjislacionit tatimor.

Back to top button