Zjarrfikësit “kërcenojnë” me protestë para Qeverisë

 

 

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka reaguar pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, të cilët pas paralajmërimeve të SBASHK-ut për greva, vendosën që t’u ndajë paga shtesë mësimdhënësve.

Zjarrfikësit, përmes një komunikate për media kanë thënë se ata kanë kërkuar për vite me radhë që të rregullohet çështja e pazgjidhur e tyre mirëpo kjo kërkesë është neglizhuar nga secila Qeveri.

“Sindikata e zjarrfikësve është e indinjuar me diskriminimin, anashkalimin dhe përbuzjen qe ju bahet shpëtimtarëve te Kosovës, keni keqpërdor angazhimin, gatishmërinë, sakrificën përkushtimin për te shërbye qytetareve te vendit, asnjëherë nuk ju interesoi pozita e zjarrfikësve, problemet me te cilat ballafaqohen zjarrfikësit, heshtet pa asnjë arsye te vetme, zjarrfikësit gjithnjë ne nivel te obligimeve dhe qe kanë sipas misionit te shenjt shpëtimin e jetës se njeriut dhe te mirave materiale, duke i pasur parasysh interesat e vendit pa kursyer asgjë nga vetja, as shëndetin e duke rrezikuar edhe vetveten per të mirën e shtetit. Sot zjarrfikësit edhe një here u zhgënjyen nga Qeveria, me nderjen e mjeteve për punëtoret e arsimit, mjete shtese ne pagë, veprim selektiv dhe diskriminues i pa pranueshëm”, thuhet në komunikatën e tyre.

Më tej zjarrfikësit kanë kërkuar një takim urgjent me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, duke thënë se nëse nuk pranojnë përgjigjeje deri më datë 25.01.2021 zjarrfikësit do te ndërmarrin veprime Sindikale dhe do të organizojnë protestë para Qeverisë se Kosovës.

Sipas sindikatës, “zjarrfikësit e Kosovës nuk do të tolerojnë një diskriminim të paskrupullt dhe të pa pranueshëm, prandaj kërkojnë nga kryeministri në detyrë dhe ministritë përkatëse që urgjentisht të analizojnë kërkesat e drejta të zjarrfikësve”./21Media

Back to top button