Zjarri në Koçan shkrumboi pyllin – shtëpi, vetura e stalla të djegura

 
Shkrumb e hi, kështu duket pylli i cili mori flakë mbrëmë në rajonin e Koçanit të Maqedonisë së Veriut. Me qindra hektarë me pyje janë shkrumbuar si pasojë e zjarrit.
Vetëm pak metra nga zjarri, ka shtëpi të banuara, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Ka vetëm disa shtëpi dhe vetura te djegura.
Për fat të keq ato që kanë pësuar janë bagëtia dhe kafshët e egra.
Zjarri i cili shpërtheu mbrëmë është lokalizuar, por ende është aktiv.
Fatmirësisht nuk ka të lënduar por janë rreth dhjetë persona të cilët janë paraqitur në spitalin e Koçanit për shkak të kanë thithur tym e ato sot janë lëshuar në mjekim shtëpiak. Banorët ende nën ethe e të frikësuar rrëfejnë për ngjarjen e mbrëmshme. Me vetiniciativë kanë marrë kova me ujë dhe fshesa për ta shuar zjarrin.
Pronari i shtëpisë së djegur rrëfen për tmerrin që ka përjetuar.
“Ka qenë e tmerrshme. Zjarrfikësit kanë ardhur menjëherë por s’kanë mundur të bëjnë asgjë pasi që ka qenë si stuhi. Thjeshtë era e ka ndërruar drejtimin dhe ka ardhur kah shtëpia jonë. Edhe një shtëpi është djegur. Janë të djegur dy shtëpi nga kjo stuhi. Vërtetë ka qenë e tmerrshme”.
“Rreth 500 njerëz kishte të cilët ndihmonin ta shuanim zjarrin me kovë, pishinat të cilët ishin vendosur për t’u freskuar të gjithë i boshatisëm. Kishte dy automjete të zjarrfikësve të cilët nuk kishin më ujë e pastaj ne me kove i mbushnim me ujë. Kemi shpëtuar një pjesë të madhe”.
Kryetari i Komunës së Koçanit, Nikollço Ilijev, thotë të gjithë që kanë pësuar dëme do të dëmshpërblehen.
“Arritëm në shumë lokacione që fillimisht ta ndalojmë përhapjen e zjarrit në pjesën e fshatit Beli, d.m.th. zjarri arriti deri tek shtëpitë, por arritëm ta lokalizojmë por më vonë shpërtheu dhe u përhap tek zona industriale në qytetin e Koçanit, ato objekte ishin afariste të cilët duhej t’i mbrojmë”, deklaroi Nikollço Ilijev, kryetar i Komunës së Koçanit.
Në teren janë ekipet zjarrfikëse me automjete dhe mekanizëm, pjesëtarët e Armatës, të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe qytetarët të cilët ende po mundohen ta shuajnë zjarrin me kova të ujit./21Media

Back to top button