ZKA-ja auditon projektet kapitale të KOSTT-it

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e KOSTT-it, më saktësisht të projekteve kapitale të kësaj ndërmarrje për periudhën 2015-2021.
Sipas ZKA-së qëllimi kryesor i këtyre projekteve kapitale në KOSTT është që të kontribuojnë në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.
“Aktivitetet e prokurimit në KOSTT, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik dhe më gjerë, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi arrin qëllimin e përcaktuar. Investimet kapitale në KOSTT bëhen nga fondet publike si dhe nga financimet e organizatave ndërkombëtare. Projektet e financuara nga fondet publike duhet të kryhen sipas ligjit të prokurimit publik në Kosovë, ndërsa në rastet kur projektet financohen nga organizatat e jashtme, procedurat e prokurimit zhvillohen në përputhje me rregullat dhe politikat e caktuara ndërkombëtare të prokurimit”,  thuhet nga ZKA-ja.

Gjatë viteve 2015-2021, KOSTT-i ka realizuar projekte kapitale në vlerë prej 78,758,545€. Nga kjo vlerë 62,569,411€ e përbëjnë dy projektet ndërkombëtare, projekti i financuar nga Banka Gjermane “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit Faza IV dhe V nga LOT 1 deri 4” dhe projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Zhvillimi i Transmisionit të Kosovës LOT 1 deri 3”. Kurse vlera prej 16,189,134€ përfshinë grupin e projekteve të financuara nga buxheti i KOSTT të cilat po ashtu kanë të bëjnë me blerjet dhe rehabilitimin e rrjeteve të transmisioneve të Kosovës.
“Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojmë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT është siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur si dhe nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe janë arritur rezultatet e synuara të prokurimit. Subjekt i këtij auditimi është KOSTT me njësitë vartëse të ndërlidhura me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve kapitale. Për qëllime të verifikimit dhe marrjes së informatave krahasuese do të përfshijmë edhe Drejtorinë për Çmime dhe Tarifa në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi që kjo zyrë bënë koordinimin, aprovimin dhe monitorimin e KOSTT mbi këto nisma investive. Po ashtu, subjekt i auditimit është edhe Zyra e Inspektoriatit të Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë për të siguruar se kjo zyre ka bërë vlerësimin e disa nga pajisjeve elektroenergjetike të cilat bëjnë pjesë tek projektet kapitale fushëveprim i këtij auditimi”, thuhet tutje.
Fushëveprimi i auditimit përfshin kontratat e prokurimit që janë nënshkruar për periudhën 2015-2021, ku nga 148 projekte kapitale, janë përzgjedhur për auditim 42 projekte, në vlerë prej 50.631.956 euro./21Media

Back to top button