ZRrE pezullon vendimin për rritjen e çmimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) e ka anuluar vendimin për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur të premten. Kështu është bërë e ditur nga vetë ZRrE-ja me anë të një komunikate për media, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e pa si të jashtëligjshme.
ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses. Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit“, thuhet në njoftim.
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për refuzim të ankesës së ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, opozita në seancën e Kuvendit kishte kërkuar shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, dhe njëherësh qytetarëve t’u kthehen mjetet që kanë paguar më shtrenjtë për faturat e energjisë elektrike./21Media

Back to top button