Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Apeli sot përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e të paditurës ZRrE.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundërpropozueses ZRrE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja./21Media

Back to top button