Zvarritja mbi një dekadë e rrugës Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë, qytetarët ankohen

Janë për gati 14 vjet që kur kanë nisur punimet për rregullimin e rrugës Prishtinë – Vushtrri – Mitrovicë, të cilat janë ndërprerë qe një kohë të gjatë, për shkak të problemeve të tenderimit dhe kontraktimit.
Rruga e papërfunduar po vështirëson qarkullimin, duke shkaktuar kolona të gjata të automjeteve.

“Çka me thanë për këtë rrugë ski çka thu, ma shumë se 10 vjet i ka kjo rrugë çdo ditë ka 1 orë e 10 minuta prej qituhit në Vushtrri, merre me men nkto temperatura çfar nxehti…”

“Telashe boll po qysh jo, çdo ditë kalojmë knej problem skemi qare ka 1 orë n ‘kolone dilni n’akshom e shihni vet.”

Përveç telasheve me kolonat e gjata dhe humbjen e kohës në këtë rrugë, problem paraqitet edhe dëmtimi i veturave gjë që përkthehet në kosto për shoferët që frekuentojnë çdo ditë këtë aks rrugor.

“po normal që shkaktojnë dame nëpër kerre, po prishen nëpër gropa, kolona bile sidomos kur vijnë këta t’hujtë deri 1 orë po mos ma shumë…”

Por pritjet për këtë rrugë me sa duket do të vazhdojnë së paku edhe për dy vjet. Zvarritjet e punimeve në këtë aks rrugor, Zëvendës ministri i infrastrukturës Hysen Durshimi e arsyeton me komplikimet që kanë ndodhur si pasojë e procedurave të kontraktimit.

“Rruga Prishtinë- Mitrovicë, siç e dini e kemi ndërprerë kontratën ajo është me kredi nuk shkon përmes prokurimit të ministrisë dhe realisht, gjatë këtyre ditëve do të fillojë procedura me nënshkrimin me kontraktorin e ri dhe kjo procedurë zgjat pak dhe ne po shpresojmë se deri në shtator do ta kemi kontratën e re dhe punimet do të zgjasin 1 vjet dhe po shpresojmë se deri vitin e ardhshëm do ta përfundojmë këtë rrugë…”
Sipas ecurisë së procedurave, rruga Prishtinë – Vushtrri – Mitrovicë, parashikohet të përfundohet pas dy viteve, që në total i bie rreth 16 vjet zvarritje për një rrugë./21Media

Back to top button