Zvicra mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në KE

Zëvendëspresidenti i Zvicrës AlainBerset konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Zvicrës për aplikimin zyrtar të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, në një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha evropiane, që qytetarëve të Kosovës do t’u mundësojë të përdorin mekanizmat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Siç bëhet e ditur nga një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit këtë konfirmon Berset e dha gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit gjatë Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos.
Bëhet e ditur se gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e afërta miqësore dhe lidhjet e ngushta njerëzore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“U bisedua për mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar drejtësi sociale dhe ekonomike, si dhe mundësitë e shkëmbimit bilateral në fusha të ndryshme, e veçanërisht në shëndetësi. Kryeministri Kurti theksoi stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë në Republikën e Kosovës. Ai potencoi mërgatën e Kosovës në Zvicër si pjesë integrale për zhvillimin e vendit tonë.”, thuhet në komunikatë.
Duke biseduar lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Berset tha se Zvicra mirëpret pozicionimin e qartë të Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe botës demokratike, për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor./21Media

Back to top button