Zvicra ofron 100 milionë dollarë për të ndihmuar Ukrainën gjatë dimrit

Qeveria zvicerane të mërkurën ra dakord të ofrojë 100 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën ndërsa dimri i afrohet vendit të shkatërruar nga konflikti.
Në një deklaratë, Këshilli Federal zviceran tha se ka “miratuar një plan veprimi për të zbutur ndikimin e dimrit të ardhshëm mbi popullin e Ukrainës”. Qeveria zvicerane tha se do të ndihmojë veçanërisht në sigurimin e ujit të pijshëm dhe rehabilitimin e infrastrukturës energjetike të dëmtuar të Ukrainës me afrimin e dimrit.
Rreth 18 milionë njerëz në Ukrainë, rreth 40% e popullsisë, janë tashmë të varur nga ndihma që kur Rusia pushtoi Ukrainën në muajin shkurt, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “me fillimin e dimrit, ky numër kërcënon të rritet në 24 milionë dhe pasi rreth një e treta e infrastrukturës energjetike të Ukrainës ishte dëmtuar.”
Presidenti i Zvicrës, Ignazio Cassis dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tyre në Kiev muajin e kaluar kishin diskutuar mënyrën më të mirë për të ofruar ndihmë për të prekurit nga lufta me afrimin e dimrit.
“Situata humanitare e popullsisë së prekur nga lufta në Ukrainë është bërë edhe më e pasigurt javët e fundit për shkak të sulmeve të synuara ndaj infrastrukturës së energjisë dhe sistemeve bazë të furnizimit”, thuhet tutje në deklaratë.
Zvicra po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të shtojë ndihma shtesë për të ndihmuar në atë që ajo e quan një situatë urgjente në Ukrainë./21Media

Back to top button