Zyrapi: Secila brigadë ka pasur dhoma parandalimi për masa disiplinore

(Lajm i përditësuar)


Zyrapi: Secila brigadë ka pasur dhoma parandalimi për masa disiplinore 

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se secila prej brigadave ka pasur dhoma parandalimi për masa disiplinore.

“Po çdo brigadë ka pas në vete, dhoma të parandalimit për masa disiplinore të cilat kanë kanosur në njësinë e tij se ata e kanë njohur territorin më mirë dhe i kanë njohur më mirë njerëzit në atë territor”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pastaj, prokurorja Clare Lawson duke vazhduar pyetjet për dëshmitarin, u fokusua më pas në periudhën e janarit të vitit 1999.

Në shumë prej dokumenteve që iu prezantuan, dëshmitari tha se e mbanin vulën e Shtabit të Përgjithshëm si dhe kishin vulën e Jakup Krasniqit.

E një prej tyre, ishte urdhëresë që të mos mbahen maska nga anëtarët e UÇK-së për të cilën dëshmitari tha se i kujtohet.

“Po, pak po më kujtohet se në atë kohë domethënë disa vende janë shfaq njerëz me maska dhe për këtë është dhënë ky urdhër që të ndalohen përdorimi i maskave në këtë periudhë”, tha Zyrapi.

Më pas, për një urdhëresë tjetër, Zyrapi tha se mbante nënshkrimin e tij dhe se ishte lëshuar nga vetë ai, e që kishte të bënte me fillimin e kursit për trajnimin e komandantëve të batalioneve, i cili sipas tij është mbajtur në fshatin Nishor.

Në disa prej dokumenteve tjera, dëshmitari tha se ishin udhëzime si të përdorej telefoni satelitor, dokumente nga zyra e komunikimit, e të tjera.


Dëshmitari Zyrapi thotë se kishte sektor të juridikës në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së

Dëshmitari Bislim Zyrapi në Hagë deklaroi se kishte sektor të juridikës në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Atij iu prezantua një dokument, për të cilin u pyet se a i njihte personat që e kishin përgatitur atë.

“I përkisnin kompanisë në Budakovë të Njësisë Vëzhguese pranë Shtabit të Përgjithshëm”, tha dëshmitari.

Për këtë dokument, prokurorja Clare Lawson tha se ishte raport që kishte të bënte me ushtarët e Njësisë Speciale, të cilët supozohet që janë larguar nga ndërtesa pa autorizimin e komandantit.

Sipas saj, në fund të këtij dokumenti thuhej se ushtarët janë paralajmëruar se në rast që bëjnë problem, do të transferohen në burgun e Shtabit të Përgjithshëm.

Më pas, dëshmitari tregoi se në këto rrethana çfarë mund të ndodhte me këta ushtarë, duke shtuar se në rast të masave disiplinore, ndaj tyre ka pasur mundësi që të merreshin masa nga sektori i juridikës, që sipas tij gjendej në Shtabin e Përgjithshëm.

“Në këto rrethana, se është njësi e Shtabit të Përgjithshëm dhe çdo masë disipline ndaj tyre për moskryerjen e detyrave të tyre mund të merren masa nga sektori i juridikës që gjendet pranë Shtabit të Përgjithshëm. Faktikisht edhe në qoftë se dënohet ose paraburgoset për parandalim, zakonisht komandantët e kompanive më pas mund t’i mbajnë dy-tre ditë për t’i marrë masat adekuate disiplinore ndaj ushtarëve të vet”, tha Zyrapi.

Sipas tij, në qoftë se dikush ka kryer një vepër më të rëndë, atëherë është dërguar në sektorin juridik, faktikisht në Shtabin e Përgjithshëm.

Dëshmitari tregoi edhe se nga kush merreshin masat për personat që nuk ishin drejtpërdrejt pjesë e Shtabit të Përgjithshëm.

“Varësisht prej asaj. Zakonisht ato masa të tilla janë ba në zonat operative, prej zonave të brigadave, zonës së operatives se në Shtab të Përgjithshëm kanë qenë zakonisht ushtarë që kanë vepru ose kanë bërë gabimet të cilët janë dërguar ose kanë ardhur aty ose anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm ose njësive të Shtabit të Përgjithshëm. Unë nuk mund ta di për më tutje se cilët kanë qenë. Edhe në qoftë se kanë qenë civilë, kanë qenë sidomos serbë të cilët kanë hy në territor ose janë gjetur në territor të kontrollit, por jo edhe diçka veçantë të tjerë”, deklaroi Zyrapi.


Zyrapi: Njësia Speciale e UÇK-së nuk ka pasur të drejtë ta arrestojë askënd

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Njësia Vëzhguese e cila ishte speciale e UÇK-së, nuk ka pasur të drejtë që ta arrestojë askënd.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një urdhëresë, të cilën pohoi se e kishte bërë ai, e në të cilën thuhej se Njësia Speciale s’ka të drejtë të marrë veprime të tilla ndaj askujt. Megjithatë, Zyrapi shtoi se ky urdhër ka dalë për shkak se një rast i tillë kishte ndodhur.

“Se kjo është Njësi Vëzhguese, Njësi që reagon në reagime të shpejta. Nuk është njësi që merret me çështjen e arrestimeve për arsye se është përdorur në këto njësi. Njëherë është përdorur edhe nga inspektori i përgjithshëm në një fshat në territorin e Zonës së Pashtrikut dhe për ato arsye është dhënë ky urdhër”, tha Zyrapi.

Dëshmitari u pyet se a ishte Rexhep Selimi inspektor i përgjithshëm, por që përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

“Është bë një masë disiplinore për shkak të disiplinës që ka ndodhur në atë fshat dhe është përdorur kjo njësi që nuk është dashtë të përdoret në këtë mënyrë. Ajo mund të përdoret në qoftë se beson në atë që do të arrestohen ose duhet të merren masa ndaj tyre, janë me armë dhe kanos rrezikun dhe mund të përdoren këto njësi si Njësi Speciale për t’i asgjësuar ato ose për t’i arrestuar. Përndryshe, është Policia Ushtarake dhe kanë mënyra të tjera të komandës se si duhet të veprojnë nga komandanti poshtë i brigadës, komandanti i zonave deri në atë të Shtabit”, tha Zyrapi tutje.

Ai shtoi se kjo njësi nuk ka pasur të drejtë as të izolojë ndokënd.

“Kjo njësi, në qoftë se folim për vetë njësinë është tjetër. Kjo nuk ka pas të drejtë as të izolojë, vetëm është përdorë në qoftë se grupet ose palët që është dashur të merren masa ndaj tyre kanë pas armë dhe kanë përdorur armët, atëherë kjo ka mujtë të përdoret si njësi. Përndryshe, jo për veprime të tjera”, u shpreh Zyrapi./Betimi për Drejtësi.

Back to top button