Zyrapi thotë se sektori i juridikës së UÇK-së kishte kompetencë të lëshonte fletarreste

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Bislim Zyrapi tha se sektori i juridikës në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, kishte kompetencën që të lëshonte fletarreste.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishtiq ishte urdhëresë e 28 nëntorit 1998, në të cilën jepeshin udhëzime se si të trajtoheshin kolaboracionistët, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Këtë dokument, Zyrapi pohoi se e ka lëshuar vetë ai dhe se tha që kishte të bënte si pasojë e disa sjelljeve të disa ushtarëve në terren, duke shtuar se në njërin prej takimeve me komandantët e zonave ndër tema tjera ishte diskutuar edhe për këtë udhëzim.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Mishetiq, dëshmitari u fokusua edhe tek formimi i sektorit të juridikës në Shtabin e Përgjithshëm.

“Prej nëntorit 1998 kemi fillu rikonstruktimin e UÇK-së sipas nevojave që është paraqitur në atë kohë dhe në atë kohë kemi fillu këtë sektor ta zhvillojmë”, tha ai.

Ai pohoi se sektori i juridikës ishte përgjegjës për të mbikëqyrur të gjithë procesin e hetimit të bashkëpunëtoreve dhe se përbente njëfarë vlerësimi se kush mund të ishte në të vërtetë bashkëpunëtor.

Gjithashtu, ai tha se sektori juridik kishte kompetencën që të lëshonte fletarreste. Por, që përgjigja e tij nuk u dëgjua se kur u pyet nëse këto fletarreste zbatoheshin nga Policia Ushtarake dhe nëse lindte nevoja edhe nga Njësia Speciale e UÇK-së.

Por, ai theksoi se referimi që sektori juridik mbikëqyrte procesin iu drejtohej konkretisht Sokol Dobrunës dhe formimit të Gjykatës Ushtarake dhe se ky i fundit i raportonte drejtpërsëdrejti Azem Syles.

Zyrapi gjithashtu pohoi se me rregull pasi Sylejman Selimi u bë komandant i përgjithshëm, Sokol Dobruan do të duhej t’i raportonte atij.

“Nuk e di saktë. Kur u bë komandant Sylejman Selimi koha ka fillu edhe ofensiva serbe dhe faktikisht bombardimet në atë kohë sa ka raportu nuk e di se nuk kam pas njohur në atë drejtim, por me rregull është dashur t’i raportoj atij”, tha ai, duke shtuar se në praktikë nuk e di se si ka shkuar procesi.

Back to top button