Kaloni te përmbajtja kryesore

Zyrapi thotë se s’kishte autoritet të marrë masa ndaj Remit

(Lajm i përditësuar)


Zyrapi thotë se s’kishte autoritet të marrë masa ndaj Remit 

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se nuk kishte autoritet që të marrë masa ndaj Rrustem Mustafës- Remit, i cili sipas mbrojtjes nuk i kishte zbatuar këshillat e Shtabit të Përgjithshëm për t’i larguar forcat e tij nga një zonë në Podujevë.

Deklarimin rreth Remit, dëshmitari e bëri pasi sipas kërkesës së miratuar të martën në Gjykatën Speciale, mbrojtja e të akuzuarve po vazhdon sërish me kundërpyetje ndaj dëshmitarit, ndonëse pyetjet shtesë i ka përfunduar trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e kam pas autoritetin e tillë, faktikisht ai ka pas autoritet më të madh në zonën e tij, për çdo lëvizje të një komandanti që ka pas autoritet në atë zonë, ka qenë shumë problem për atë zonë dhe shtabin”, tha Zyrapi, pas pyetjes së avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq se pse nuk ishte në pozicion që të merrte masa kundër Remit.

Mishetiq tha se i duhen edhe dhjetë minuta për kundërpyetjet e tij pas pushimit të drekës.

Kurse, prokurorja Clare Lawson gjatë kundërpyetjeve u fokusua tek këmbëngulja e Rrustem Mustafës- Remit për të mos i tërhequr forcat e tij nga zona e Podujevës edhe pse një gjë e tillë i ishte kërkuar nga Shtabi i Përgjithshëm.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një kërkesë që Policia Serbe që të tërhiqeshin nga postblloqet.

“Sa e di ka qenë pas marrëveshjes së armëpushimit të njëanshëm që ata t’i heqin postblloqet dhe ne të largohemi prej rrugëve dhe të lëmë qarkullimin e lirë të rrugëve. Sa më kujtohet kjo ka qenë. Tash a është kjo për aty nuk po e mbaj mend”, tha Zyrapi.


Zyrapi pohon se ai dhe Veseli ishin përzgjedhur nga Azem Syla të përfaqësonin UÇK-në në bisedimet me Qeverinë Bukoshi

Dëshmitari Bislim Zyrapi pohoi se ka deklaruar që Azem Syla i kishte përzgjedhur atë dhe Kadri Veselin që të përfaqësojnë UÇK-në në bisedimet me Qeverinë Bukoshi, e cila ishte në mërgim.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas dëshmitarit, takimet janë mbajtë në Tiranë dhe Stamboll, në të cilat ka marrë vetë pjesë dhe se për tjera vendtakime nuk e di. Ai shtoi se kur kanë shkuar në Stamboll kanë qëndruar 2-3 ditë. Tha se takimi në Stamboll ka zgjatë një ditë dhe pastaj kanë vazhduar në Tiranë.

Atij iu prezantua një dokument që mbante datën 2 nëntor 1998, e që kishte nënshkrimin e Veselit dhe Zyrapit, e po ashtu mbante vulën e Shtabit të Përgjithshëm.

Dëshmitari tha se nënshkrimi i këtij dokumenti është bërë në Tiranë dhe se dokumenti është i vërtetë. Sipas tij, kjo marrëveshje ka qenë edhe me vullnetin e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet se pse nuk ishte Azem Syla ai që nënshkroi marrëveshjen, por Zyrapi dhe Veseli.

“Për shkak se ne kemi fillu bisedimet me ata t’i bëjmë qysh më herët dhe përfundim të bisedimeve të nënshkruajmë, ne që kemi marrë pjesë në bisedime dhe kjo na është dhënë nga ana e komandantit të përgjithshëm që të nënshkruajmë këtë marrëveshje”, u përgjigj Zyrapi.

Edhe Gaynor pyeti dëshmitarin për Policinë Ushtarake, por deklaratat e tij konsistonin me ato se çfarë i kishte thënë më herët mbrojtjes, ZPS-së dhe trupit gjykues.

Pyetje shtesë pati sërish edhe gjyqtari Christoph Barthe, e që fillimisht ia prezantoi dokumentin e marrëveshjes me Qeverinë Bukoshi dhe e pyeti se pse shënohet në dokument se ajo marrëveshje ishte nënshkruar në Prishtinë. Zyrapi tha se arsyen nuk e di, por që e di faktin se marrëveshja ishte nënshkruar në Tiranë.

Më pas, u pyet se a kishte raste të tilla kur dokumenti ishte nënshkruar me një vend tjetër e të figuronte diku tjetër.

“Për këtë dokument po, është përgatitur dhe është nënshkruar në Tiranë. Për tjetër, nuk e di. Mund të ketë pasur por nuk më kujtohet”, u përgjigj dëshmitari.

Paraprakisht, gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësi Guénaël Mettraux për rolin që ka pasur Shala në UÇK-së, ai tha se deri në fund të vitit 1998, Ferat Shala ka qenë komandant i njësisë “Pllumi”.

“Deri nga fundi i ’98-ës ka qenë komandanti i njësisë ‘Pllumi’, faktikisht njësisë në fshatin Negroc, rrugës afër Llapushnikut. Ka qenë në këtë detyrë. Pastaj, është transferu e në cilën detyrë nuk e di më tej”, tha Zyrapi.

Dëshmitari u pyet se a është në dijeni rreth përfshirjes së Ferat Shalës në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) sa i takon formimit, krijimit të sistemit informativ të UÇK-së ose ndonjë prej roleve të kësaj natyre.

“Po, më vonë kur është formu Shërbimi Informativ i Kosovës masi është formu Qeveria e Përkohshme nga Rambujeja, e di që ka dalë në atë sektor, po këtu çka ka punu në sektorin informativ nuk e di se çfarë detyre ka pas dhe a ka pas detyrë aty apo jo, se të paktën nga ai nuk kam marrë asnjëherë informacione të cilat u dashtë për çështjet ushtarake”, u përgjigj Zyrapi.

Ndryshe, avokati i Krasniqit, Aidne Ellis kërkoi kohë që të përgatitet për pyetjet e radhës për këtë dëshmitar, pasi sipas tij kanë dalë disa çështje që lidhen drejtpërdrejt me klientin e tij.

“Kështu që do të donim që t’i fillonim nesër pyetjet tona”, tha Ellis.

Më pas, kryetari i trupit gjykes Charles Smith III tha se kjo varet nga parashikimi i secilit pasi sipas tij duhet të përfundohet nesër me marrjen në pyetje këtë dëshmitar.

“Nuk po them shpresojmë, po them që është e padiskutueshme që do përfundojmë nesër”, tha Smith III.

Ellis tha se është në dijeni për këtë dhe sipas tij ata janë ekipi i fundit që do të bëjnë pyetje. Pas kësaj, Smith III tha se do të bëjnë sërish një rivlerësim për kohën e pyetjeve të secilit që të bëhet e qartë se edhe sa kohë iu nevojiten për këtë dëshmitar.


Zyrapi flet për komunikatën ‘53’: Nuk e di se cilat masa janë marrë ndaj kolaboracionistëve

Dëshmitari Bislim Zyrapi lidhur me komunikatën “53”, e cila pretendohet se është lëshuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në shtator të 1998-ës, tha se nuk e di se cilat masa janë marrë ndaj kolaboracionistëve.

Fillimisht, gjyqtari Guénaël Mettraux ia prezantoi dëshmitarit këtë komunikatë, me ç’rast i kërkoi atij që të fokusohet në paragrafin e dytë, ku sipas tij thuhej se masat ndëshkuese të formave të ndryshme po ndërmerren edhe kundër elementeve kolaboracioniste, të cilët po vazhdojnë t’i kryejnë shërbime pushtetit okupator, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo se komunikatën s’e di se cila ka qenë në atë periudhë dhe këto masa çka janë marrë nuk e di”, tha Zyrapi, kur u pyet nëse e di se çfarë masa ishin marrë ndaj këtyre personave të cilët i personifikon komunikata.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet nëse pajtohet se kjo nuk kishte të bënte me sektorin juridik.

“Po atëherë hala nuk ka pas sektor juridik”, tha dëshmitari Zyrapi, por që përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se a kishte ndonjë ide se për çfarë masa ndëshkuese po bëhej fjalë aty dhe se çfarë ndëshkimi kanë marrë kolaboracionistët nga UÇK-ja.

Më tutje, Mettraux ia prezantoi dëshmitarit një dokument tjetër dhe e pyeti se a ishte në dijeni që ‘kolaboracionistët e armikut janë trajtuar nga Policia Ushtarake dhe Njësia Speciale”, gjë të cilën e pohoi.

Madje, Zyrapit iu prezantua një dokument për të cilin tha se ishte përmbledhje e raporteve të bëra nga komandantët e zonave lidhur me këto njësi, ku theksohej se janë duke e menaxhuar mirë çështjen me kolaboracionistët.

Gjyqtari u kthye te deklarata e dëshmitarit, kur kishte thënë se një dokument i cili nuk ka numër protokolli, vulë dhe nuk është i nënshkruar, nuk mund të ishte në fuqi. Prapa kësaj deklarate qëndroi edhe sot në sallën e gjyqit dëshmitari Zyrapi.


Zyrapi thotë se po të kishte Drejtori të Policisë Ushtarake para nëntorit të ’98-ës do ishte në dijeni

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari Bislim Zyrapi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Zyrapi tha se po të kishte Drejtori të Policisë Ushtarake para nëntorit të vitit 1998, do ta kishte ditur.

Zyrapi është duke u marrë në pyetje nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux, i cili e pyeti dëshmitarin lidhur me librin e Jakup Krasniqit, i cili tregonte se kishin ekzistuar disa drejtori gjatë verës së ’98-ës në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjyqtarit, në atë libër thuhet se kanë ekzistuar Drejtoria Politike, Drejtoria Operative, Drejtoria e Shërbimit Informativ, Drejtoria e Policisë, Drejtoria e Informimit Publik, Drejtoria për Ekonomi dhe Financa, si dhe Drejtoria e Logjistikës.

“Unë nuk do të flas sipas librës, se libra e thash edhe më herët se e ekzagjerojnë. Kur po e marrim me e këqyr tash strukturën, strukturën tjetër që tregon zoti Rexhep Selimi, nuk korrespondojnë njëra me tjetrën. Tash dikush prej tyre gabim e kanë. E dyta; Drejtoria e Policisë Ushtarake, po të kish ekzistu të paktën do të isha koordinu me ta, do të kisha ditë se kush është në atë drejtim. Do të kisha punu me ata se si Drejtori e Operacioneve është dashur të punojë me të gjitha drejtoritë, koordinojë punë për me mujtë me përgatitë një operacion ose me punu në aspektet e trajnimit ose profesionalizmit ose operacionalizimit. Këtë drejtori nuk e kam pa, as s’e di kush kanë qenë, as që kanë ekzistu në aspektin e trajnimit dhe as kush i ka shkru ato le ta shpjegojnë”, tha Zyrapi.

Më pas, gjyqtari Mettraux i tha dëshmitarit se a kishte shpjegim për faktin se ai thotë që nuk kishte në atë kohë drejtori të Policisë Ushtarake, ndërkohë që lëshoheshin deklarata nga kjo drejtori edhe gjatë tetorit të ’98-ës.

“Çka di që deklaratat që janë lëshu në tetor të ’98-ës po është që kam gjatë këtyre seancave që m’i keni tregu, më herët nuk e di që kanë shqiptu ose kanë dhanë nga kjo Drejtori e Policisë se po të kish dhënë në atë kohë do të kisha kërku se kush është dhe të isha koordinu me ato. Tash ose e kanë mbajtë këtë Drejtori pa e ditur unë, ose si strukturë nuk me kanë tregu e nuk e kam pa fare as Drejtorinë e Policisë as Inspektoratin. Foli për ato se çka unë di“, u përgjigj dëshmitari.

Ai ka mohuar se ka pasur dijeni që kanë lëshu deklarata për shtyp nga Drejtoria e Policisë Ushtarake.

“Këto deklarata i kam pa kur paraqit gjatë këtyre proceseve gjyqësore që janë lëshu në nëntor a kur janë lëshu. Më herët nuk i kam pa ato se me i pa do të kisha pyet se kush është, po s’e di”, tha Zyrapi.

Ndërsa, për rastin e Blerim Kuçit dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni se kush vendosi ta arrestonte atë.

Përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua kur u pyet se kush nga dy të akuzuarit (Selimi dhe Krasniqi) si dhe Limaj, e kishte pasur kompetencën sipas tij që ta arrestonte Blerim Kuçin.

Për UÇK-në, dëshmitari tha se është e saktë të thuhet se kur është kriju një drejtori është caktuar edhe drejtori që do të udhëhiqte

“Pasi drejtori përcaktohet, pastaj drejtori përcakton stafin e tij”, tha Zyrapi.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a e dinte se mbi cilën bazë ishte shpallur i pafajshëm Limaj në gjykimin e tij.

“Nuk e di në cilën bazë, po dëshmi, kam qenë (dëshmitar)”, tha Zyrapi.

Ai tha se nuk ka dijeni se cilët persona kanë dëshmuar tjetër në gjykimin ndaj Limajt lidhur me periudhën e krijimit të Drejtorisë së Policisë Ushtarake.

“E di që kanë qenë edhe tjerë, por që kush ka qenë me dëshmu në këtë drejtim nuk e di”, tha ai. Zyrapi tha se nuk ka dijeni që dy prej dëshmitarëve në këtë çështje ishin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Dëshmitari tha se inspektori i përgjithshëm i UÇK-së është caktuar në nëntor, konkretisht pas ristrukturimit të ushtrisë. Tha se as Drejtoria Politike, as Policia Ushtarake nuk kanë ekzistuar para nëntorit të ’98-ës, përveç asaj të Financave.

Para se të fillojë dëshminë dëshmitari Zyrapi, trupi gjykues miratoi kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për ndryshimin e disa afateve procedurale.

“Trupi gjykues mendon se janë dhënë arsye të vlefshme për të miratuar ndryshimet e afateve në mënyrë që mbrojtja t’i përgjigjet mocioneve të ZPS-së si dhe të ndryshohet afati për rishikimin e transkriptave. Fillimisht, trupi gjykues miraton në bazë të rregullës 9 (5) ndryshimet e afateve. Së pari, për çdo kërkesë për pranimin e deklaratave të dëshmitarëve sipas rregullës 154 për dëshmitarët që do të paraqiten pas 5 shtatorit 2024, por kërkesat duhet të dorëzohen para pushimit të gjykatës. Trupi gjykues e miraton kërkesën e mbrojtjes për shtimin e afatit në mënyrë që t’i kundërpërgjigjet mocioneve deri më 23 gusht 2024. Trupi gjykues thekson se kjo nuk përfshinë përgjigjet sa u takon kërkesave për pranimin e deklaratave të dëshmitarëve  sipas rregullës 154 që janë planifikuar për bllokun e parë pas pushimit të gjykatës që i takon nga 19 gushti deri më 15 shtator. Mbrojtja do t’i përgjigjet këtyre kërkesave në përputhje me afatet që janë parashikuar në rregullore”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Më pas, Smith III dha urdhër që të shtohet afati për t’u përgjigjur mocioneve të ZPS-së, si dhe afatin për dorëzimin e mocionit të ardhshëm jogojor të tyre.

“Së dyti: për çdo kërkesë për pranimin e deklaratave në bazë të rregullës 153 të dorëzuara para pushimit të gjykatës, trupi gjykues miraton kërkesën e mbrojtjes për shtimin e afatit për t’u  përgjigjur mocioneve të Prokurorisë deri të premten më 30 gusht 2024. Së treti: për mocionin e ardhshëm jogojor nga Prokuroria që është parashikuar të dorëzohet para pushimit të gjykatës. Trupi gjykues miraton shtimin e afatit dhe e shtyn rrjedhimisht për 23 gusht 2024 që është e premte”, tha gjykatësi.

Dhe në fund, Smith III ndryshoi afatin që palët të dorëzojnë parashtrimet e tyre lidhur me rishikimet e transkriptove të cilat kryhen në pushimin e gjykatës.

“Së katërti; çdo rishikim transkripti që është parashikuar që të kryhet gjatë pushimit të gjykatës, trupi gjykues ndryshon afatin për palët dhe pjesëmarrësit në mënyrë që t’i bëjnë parashtrimet e tyre deri të premten më 13 shtator 2024”, tha ai.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button