Zyrtare: Kosova ndan rrugët me trajnerin Bernard Challandes

1 min read

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se Bernard Challendes nuk është më trajner i Kombëtarës së Kosovës.

FFK njoftoi në një konferencë për media se ka gjetur pajtim me Bernard Challandes për shkëputjen e parakohshme të marrëveshjes.

Challandes ka qenë në qendër të kritikave për një kohë shumë të gjatë, pas rezultateve jo të mira për kombëtarën e Kosovës, ku pesë nga shtatë ndeshje Kosova i humbi për Kupën e Botës 2022.

Pas humbjes së mbrëmshe nga Gjeorgjia, në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” u zhvillua një takim ndërmjet krerëve të federatës për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.

Kritika të shumta erdhën në drejtim të trajnerit, nga njohës të futbollit. Thirrjet për shkarkimin e Challandes nuk nisën në këtë fushatë kualifikuese, por para një viti kur Kosova e humbi shansin e rrallë për kualifikim historik në Euro 2020, pasi u mund nga Maqedonia e Veriut në play-off./ 21Media