Qeveria me një sërë vendimesh, emëron borde dhe miraton kredi milionëshe

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti miratuan disa projektligje përfshirë edhe marrëveshje ndërkombëtare për kredi 40 milionëshe dhe nisma për të negociuar kredi mbi 30 milionë euro.
Ekzekutivi, emëroi edhe disa borde të përkohshme në ndërmarrjen publike ndërsa, shkarkuan bordin e drejtorëve në ndërmarrjen publike, “Hidrodrini” në Pejë. Po ashtu, ekzekutivi miratoi vendimin për njohjen e meritave të veçanta për sportisten Majlinda Kelmendi.
Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se vendimi për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime do të shërbejë më shumë për rritjen e kapitalit të fondit kosovar për garantimi ne kredive dhe lehtësimin e qasjes në financa. Ndërkohë, tha se vendimi për marrëveshjen e financimit për reformën e skemave sociale do të kap shifrën e 47 milionë eurove.
“Ky projekt (kredi)ka vlerën 40 milionë euro dhe do të shërbejë për rritjen e kapitalit të fondit kosovar për garantimin e kredive dhe lehtësimi ne qasjes në financa, financim të projekteve kapitale, shpenzimeve operative për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sa i përket kushteve të Periudha e maturitetit është 20 vjet maturitet, plus 5 vjet grejs periudhë. Sa i përket normës së interesit e njëjta përcaktohet sa i përket kërkesave të rimburisimit, por duhet të theksohet se është kredi e butë. Për këtë kredi nuk do të paguhet tarifë angazhimi, apo shërbimi”, tha Murati.
Ministrit Murati iu dha edhe drita e gjelbër për nismën e negocimit të marrjes së dy kredive mbi 30 milionë euro me Bankën Evropiane për Investime dhe atë për Zhvillim për ndërtimin e impiantit për ujërat e zeza në Mitrovicë të Jugut
Ndërsa, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi duke arsyetuar emërimin e bordeve të përkohshme në bordin e ujësjellësit “Hidroregjioni jugor” në Prizren, kompaninë rajonale të ujësjellësit “Birkufacioni” në Ferizaj tha se një vendim i tillë ka qenë i pashmangshëm. Derisa tregoi arsyet edhe për ndryshimin e bordit të Ibër-Lepencit.
Në shkarkimin e bordit KRU-Hidrodrini në Pejë, Bislimi tha se i njëjti nuk i ka definuar qartë sistemet e furnizimit.
“Përmes këtij propozimi, zonja Hyrmet Medyti emërohet kryesuese e bordit të përkohshëm të ndërmarrjes publike, Ibër Lepenci dhe zotëri Avdi Gjonbalaj emërohet anëtar i këtij bordi të përkohshëm[…]i njëjti bord ka dështuar në arritjen e caqeve të perfomracës dhe përmbushjen e detyrimeve të përgjegjshme në cilësinë e drejtorëve të kompanisë[…]KRU Hidrodrini ende nuk i ka të definuara qartë sistemet e furnizimit të cilat i ka në menaxhim, plani për monitorimin e ujit nuk është i përditësuar që nga viti 2015”, tha Bislimi.
Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi edhe draftin e Strategjisë Shtetërore për Migrim 2021-2025 dhe Plani i Veprimit 2021-2023.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se i njëjti s’ka kosto shtesë buxhetore.
“Kjo strategji reflekton zotimet e qeverisë për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e migrimit dhe obligimet që rrjedhin nga procesi evropian, respektivisht zbatimin e obligimeve që dalin nga MSA-ja. Strategjia për migrim 2021-2025 është hartuar në pajtim me programin qeveritar si dhe dokumentet tjera strategjike dhe ndërkombëtare”, tha Gashani.
Në arsyetimin e vendimit që sportistes, Majlinda Kelmendi t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta, kryeministri Kurti tha se ajo ka bërë një punë të jashtëzakonshme në ndërtimin e imazhit pozitiv të Kosovës.
“Majlinda Kelmendit t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për kontributin e dhënë në promovimin e sportit të xhudos në arenën vendore dhe ndërkombëtare. Një pikë e veçantë për komunitetin sportiv, sportistët po bëjnë punë shumë të rëndësishme në ndërtimin e imazhit pozitiv të vendit tonë, është ndjenjë e jashtëzakonshme kur veprimtaria e tyre vlerësohet ashtu siç e meritojnë”, tha Kurti.
Kabineti qeveritar miratuan edhe Projektligjin për patenta, Projektligjin për Dizajnin Industrial, Projektligjin për plotësimin-ndryshimin e Shërbimeve Këshilluese për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Ndërsa, miratuan draftin vjetor të planit vjetor të statistikave për vitin 2022 dhe planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të auditimit për vitin 2020. Ekzekutivi ndau mjetet edhe për shpronësimin për rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë mbi 200 mijë euro dhe shpronësimin e mëtejmë për nevojat e KEK-ut në zonën e Obiliqit.

Back to top button