Zyrtarëve korrektues u premtohet ekzekutim i shtesave

 

Zyrtarët korrektues protestuan mesditën e sotme para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar shtesat në paga për shkak të angazhimit të tyre gjatë kohës pandemisë. Megjithatë, pas takimit që patën me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti, ata e pezulluan protestën pasi morën premtime se shtesat do të ekzekutohen së bashku me pagën gjatë këtij muaji.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Shërbimit Korrektues, Frashër Rrecaj pas takimit me kryeministrin në detyrë Hoti, tha se morën premtime për realizimin e kërkesave dhe se shtesat do të përfshihen në pagën e muajit mars.

“Sapo përfunduam takimin me kryeministrin në detyrë (Hoti) dhe ministrin (në detyrë) të Ekonomisë (Muharrem Nitaj) dhe Financave (Agim Krasniqi), të cilët na premtuan se edhe Shërbimi Korrektues do të përfshihet në shtesat mbi pagën bazë që nga muaji mars, e që do të vazhdojë tutje ashtu siç jemi marrë vesh edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës nga takimet e janarit dhe të shkurtit. Ndarjet buxhetore do të bëhen në mbledhjen e parë të qeverisë dhe do të vazhdojë tutje ashtu siç e ka paraparë edhe qeveria”, tha ai

Shërbimi Korrektues i Kosovës pezullon përkohësisht protestën deri në vendimin e qeverisë qe pritet të realizohet brenda gjysmës së parë të këtij muaji.

Kërkesa e tyre e vetme drejtuar qeverisë ka qenë përfshirja e tyre në listën për shtesa, njësoj si punëtorët shëndetësorë dhe Policia e Kosovës.

“Protestat pezullohen përkohësisht deri në vendimin e qeverisë që pritet të merret në javën e parë ose në javën e dytë të muajit mars. Mbledhja e parë e qeverisë e përcakton edhe ndarjen e mjeteve buxhetore për Shërbimin Korrektues të Kosovës ashtu siç është paraparë me Ligjin për pandeminë. Kërkesa jonë e vetme drejtuar Qeverisë së Kosovës, që edhe në të përfshihemi në ketë ligj, të cilin besoj që qeveria do ta realizojë brenda afatit deri më 10 apo 15 mars. Të gjitha kategoritë do të trajtohen edhe Shërbimi Korrektues siç e kemi pasur marrëveshjen e janarit me Ministrinë e Financave, do të thotë, do të kemi një trajtim të barabartë me sektorin e sigurisë, me policinë dhe me punëtorët shëndetësorë” , tha ai.

Back to top button