​Dita kur Fatmir Sejdiu u zgjedh president

Sejdiu nuk mundi ta përfundonte mandatin e tij pesëvjeçar

Të premten e 10 shkurtit 2006, Fatmir Sejdiu mori postin e presidentit të Kosovës, me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 të pavlefshme, pas tri radhë të votimit.

Ai ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për të vazhduar mandatin e ish-kryetarit Ibrahim Rugova deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në seancën solemne të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit atëherë ishin të pranishëm 110 deputetë.

Por Sejdiu nuk mundi ta përfundonte mandatin e tij pesëvjeçar, ashtu siç është e paraparë me Kushtetutë, pasi më 27 shtator 2010 dha dorëheqje, pasi Kushtetuesja konstatoi se kishte bërë shkelje të rëndë kushtetuese duke mbajtur postin e presidentit dhe atë të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e bëri publik vendimin për dorëheqje gjatë një konference për media ku tha se postin e presidentit e kishte ushtruar me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë. Ai tha se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si institucioni më i lartë juridik.

Fatmir Sejdiu është lindur më 23 tetor 1951 në Pakashticë të Besianës, ndërsa jeton në Prishtinë. Ka të kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ka gradën e Doktorit të Shkencave Juridike në po këtë universitet.

Back to top button