130 mijë euro për fëmijët me kancer

Neil Taylor, shefi i zyrës në Kosovë viziton sot Klinikën e Onkologjisë për Fëmijë

Stafi nga zyrat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Prishtinë, Tiranë dhe Londër kanë mbledhur rreth 80 mijë euro për fëmijët me kancer gjatë vitit të kaluar, të cilat janë rritur me një donacion shtesë prej 50 mijë euro nga BERZH-i në Londër.

Shefi i zyrës në Kosovë, Neil Taylor, sot do të vizitojë Klinikën e Onkologjisë për Fëmijë në ora 13.30 për t’ia dorëzuar çekun me shumën e plotë Fondacionit Kujdesi për Fëmijët e Kosovës.

Kujdesi për Fëmijët e Kosovës siguron që të gjithë fëmijët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (spitali kryesor që trajton fëmijët me kancer në Kosovë) të marrin ilaçet që u nevojiten. Fondacioni punon në baza vullnetare që nga viti 2013.

“Në korrik të vitit 2017, iniciativa e komunitetit të BERZH-it, filloi të mbështesë fondacionin me ç’rast 25 punonjës në zyrat në Prishtinë dhe Tiranë, si dhe në selinë qendrore të Bankës së Londrës filluan të mbledhin mjete. Fushata për mbledhjen e mjeteve zgjati deri në janar 2018 dhe përfshinte koncerte në Prishtinë, Tiranë dhe në selinë qendrore të Bankës në Londër”, thuhet në njoftimin e dërguar nga BERZH.

Çeku i BERZH-it do t’i dorëzohet Sevim Cincit nga SfKK dhe drejtoreshës së repartit të klinikës, Violeta Grajqevci Uka.

Back to top button