Ahtisaari: Mos humbisni kohë, vazhdoni dialogun

”Dialogu me vendet fqinje është e vetmja mënyrë, për të shkuar përpara. Nuk duhet të humbasim kohë dhe dialogu nuk duhet të shpërfillet”

Në 100-vjetorin e pavarësisë së Finlandës, sot në Prishtinë u mbajtë seminari “Kosova dhe Finlanda bashkërisht e ndërtojnë të ardhmen”.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki tha se Kosova është në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe se Finlanda do të vazhdojë ta përkrahë atë, ndërsa pohoi se është krenare që në Prishtinë, po ndajnë këtë storie në 100- vjetorin e pavarësisë së Finlandës.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se Finlanda ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta përkrahë në konsolidimin e mëtutjeshëm të saj në sferën ndërkombëtare dhe se për këtë qytetarët e Kosovës, sipas tij do t’i jenë mirënjohës përgjithmonë.

Ndërsa, Marti Ahtisari përmes një video-incizimi i përshëndeti të pranishmit në këtë seminar, duke thënë se Kosova ka bërë përparime, por ka një rrugë të gjatë përpara. Ai porositi politikanët kosovarë, të cilëve u tha se dialogu me Serbinë duhet të vazhdohet pa humbur kohë dhe se ai nuk duhet shpërfillur. Ndërsa tha se vijat kufitare, nuk janë fare me rëndësi, në raport me sundimin e ligjit.

“Kanë kaluar 10 vjet që kur kam prezantuar propozimin gjithëpërfshirës,  për zgjidhjen e statusit të Kosovës,  i cili ka bërë një rrugëtim mjaftë të gjatë dhe Kosova është ne rrugën e integrimit evropian. E përgëzoj Kosovën për  lidhjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, por rruga para juve është mjaftë e gjatë. Dhe këtu duhet një lidership i urtë dhe me vendosmëri , që t’i garantojë qytetarëve të Kosovës,  posaçërisht të rinjve një të ardhme të ndritur. Theksoj rëndësinë e dialogut dhe marrëdhëniet  e mira me fqinjët dhe sundimi i ligjit si dhe rëndësia e tij për një shoqëri multi-etnike. Kushtetuta e Kosovën ngërthen parimin e barazisë dhe shoqërinë multi-etnike dhe kjo e drejtë duhet të garantohet në praktikë dhe në sundimin e ligjit. Vijat kufitare nuk janë fare me rëndësi,  në raport me sundimin e ligjit.  Dialogu me vendet fqinje është e vetmja mënyrë, për të shkuar përpara. Nuk duhet të humbasim kohë dhe dialogu nuk duhet të shpërfillet. Mos humbisni kohë por vazhdoni dialogun”, tha ai.

 

Back to top button