Amerika nuk e harron Kennedyn

Përkujtohet Kennedy në 100-vjetorin e lindjes

Amerika kujton më 29 maj një prej presidentëve më të adhuruar të saj edhe pse në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai nuk qëndroi dot edhe aq gjatë.

Në 100-vjetorin e lindjes së John Kennedy, shtypi i huaj përmend mitin dhe trashëgiminë e tij.

Presidenti i 35-të  i Shteteve të Bashkuara u lind përpara një shekulli, më 29 maj të vitit 1917.

Arritjeve të tij në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, historianët nuk i japin veçse një notë mesatare, por imazhi i “JFK”, si një kryetar shteti dinamik e karizmatik mbetet i patjetërsueshëm.

Në kujtesën kolektive të amerikanëve, Kennedy vazhdon të jetë presidenti i ri e i pashëm, i cili e katapultoi vendin e tij të viteve ’50 drejt modernes, e i dha një frymë euforie si rrallëherë më parë. Një fjali nga fjalimi i tij i betimit si president në janar të vitit 1961, edhe sot e kësaj dite i skalitur në gur, lexohet në shumë godina dhe ura që mbajnë emrin e Kennedy.

“Mos pyesni ç ‘mund të bëjë vendi për ju, por pyesni ç ‘mund të bëni ju për vendin tuaj!”. Kjo ishte një sfidë, që administrata e tij u bënte amerikanëve për të rrokur mundësitë e reja dhe inovacionin.

Më vonë, atë vit do të vendoste në një seancë të përbashkët të Kongresit, objektivin e zbritjes së njeriut në Hënë brenda një dekade.

Në kulmin e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, Kennedy përdori të gjitha mjetet në dispozicion për të nxjerrë në pah fuqinë dhe pushtetin e Amerikës.

Në udhëtimet diplomatike në vendet aleate anembanë botës, ai do të ngrinte njerëzit peshë, siç ndodhi në Berlinin perëndimor, kur shprehja e tij “Ich bin ein Berliner!” do të kthehej në frymëzim për turmat.

Kennedy u qëllua për vdekje 22 nëntorin e 1963-shit, ndërsa udhëtonte me një makinë të hapur në Dallas të Teksasit.

Back to top button