Ardhja e ambasadores së re të SHBA në Shqipëri çështje javësh

Yuri Kim u betua dje si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ambasadorja e re e SHBA në Shqipëri Yuri Kim pritet të mbërrijë në Shqipëri në javët e ardhshme. Vetë stafi i ambasadës amerikane në Tiranë duke iu uruar mirëseardhjen e njoftoi.

“Yuri Kim u betua dje si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri gjatë një ceremonie zyrtare në Departamentin e Shtetit. Presim me kënaqësi që t’i urojmë mirëseardhjen në Shqipëri në javët e ardhshme!” shkruhej në statusin e facebook të ambasadës.

Yuri Kim bëri të enjten e 9 janarit betimin në detyrë ndërsa u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Diplomatja amerikane ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.Zëri i amerikës shkruan se zonja Kim pritet të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor./oranews

Back to top button