Balje: Kosova gati për formimin e ushtrisë

Balje ka komentuar edhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së

Deputetja e Grupit parlamentar 6+, Duda Balje ka deklaruar se Kosova është gati ta formojë ushtrinë e saj.

Ajo gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës ka komentuar edhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, i cili ka paralajmëruar se formimi i ushtrisë në këtë kohë është hap i gabuar dhe se Kosova do të përballet me pasoja serioze.

“Unë mendoj se si shtet jemi gati për të formuar një ushtri dhe kemi kaluar komplet procedurat, tash është veç votimi brenda seancës. Unë jam gati e sigurt se secili shtet edhe NATO munden me pas mendimin e vet, është keq sepse NATO ka dal me këtë deklaratë, por unë mendoj se ne si shtet kemi vendos dhe unë mendoj që duhet të votojmë për këtë. Po është keq, sepse është një barrierë e madhe, por unë mendoj se na duhet të gjejmë zgjidhje për këtë dhe jam gati e sigurt se ne do të votojmë për ushtri”, ka thënë ajo.

Ndërsa, sa i përket votimit të buxhetit për vitin 2019, ajo ka shtuar se kanë bërë një plan për pakicat dhe se kanë biseduar me ministrin e Financave, Bedri Hamza, andaj grupi parlamentar 6+ sipas saj, do ta votojë buxhetin për vitin e ardhshëm.

Kuvendi i Kosovës po mban seancën, në të cilën përveç shqyrtimit për herë të parë të projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të shqyrtohet edhe raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017. Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Familjen i Kosovës.

Back to top button