“Bechtel Enkas i zgjatet afati për përfundim të autostradës për 152 ditë”

MI është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019

Instituti Demokratik i Kosovës ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës dhe Bechtel & Enka janë marrë vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, gjë që ia pamundëson Qeverisë së Kosovës të kërkojë penalti për moszbatim të kësaj kontrate me kohë.

“Kjo është paraparë në aneks-kontratën e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Bechtel & Enka, kopje e cila mban datën 5 shtator 2018, të cilën e ka siguruar KDI-ja”, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Aneks-kontrata e protokolluar me numër 02/8457 dhe e nënshkruar nga palët përcakton detyrimet e Qeverisë së Kosovës për 53 milionë euro për Autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Me këtë aneks-kontratë, përveç 53 milionëshit, MI është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë Bechtel& Enkes për zbatimin e punëve për këtë autostradë.

“Në anën tjetër ministria vazhdimisht, përmes prononcimeve në media të ministrit Pal Lekaj, ka deklaruar se janë duke shikuar mundësitë për vënien e penaltive për vonesa të Bechtel & Enkas në kryerjen e punëve”, theksohet më tej në komunikatë.

KDI konsideron se sipas kësaj aneks-kontrate nuk është e qartë se si janë kalkuluar 53 milionë euro dhe se në çfarë baze është shtyrë afati për 152 ditë shtesë.

Ndryshe, KDI në dhjetorin e 2018 ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës sqarime se si janë kalkuluar 53 milionë euro, por deri më tani nuk ka pranuar asnjë informatë shtesë.

Back to top button