Biznesi “Magjja” punëdhënës i grave

“Magjja”, prodhues i ushqimeve tradicionale

Një shembull i veçantë në Llashticë të Gjilanit është biznesi familjar që ka investuar në këtë punëtori për prodhime ushqimore tradicionale, ku janë angazhuar gra në punë.

Që prej janarit të këtij viti biznesi për ushqime tradicionale “Magjja” ka filluar me prodhimin dhe shitjen e të gjitha gatimeve tradicionale shqiptare, duke filluar prej produkteve si fli, pite, rrethatore, manti, samza, resenik, paqë, pogaqe, bukë, gatime po ashtu edhe nga misri, sikurse edhe disa produkte ëmbëlsira fshati siç janë, bakllava, tatli të buta dhe të forta etj. Gatime që prodhohen veç në furra druri janë me një cilësi të lartë pa aditiv dhe me prodhime vendore.

Anë pozitive e këtij biznesi është edhe për fermerët e këtij fshati dhe në rrethinë, ngaqë “Magjja” po u blenë bulmetin për prodhimin e këtyre produkteve tradicionale në këtë punëtori.

Konsiderohet se biznesi i cili u krijua me një iniciativë të grave që është investuar në vlerë rreth 40 mijë euro me një kredi bankare për ushqime tradicionale e bënë Kosovën atraktive, jo vetëm për konsumatorët, por edhe për turistët dhe mërgimtarët nga diaspora.

Menaxherja e prodhimit, Nebahate Haziri tregon se puna që ka filluar prej fillimit të këtij viti po iu shkon mirë, me shumë vullnet dhe janë të kënaqur me punën që e bëjnë. Ajo shprehet se të gjitha gatimet bëhen sipas traditës, me punë dore dhe konsiderohet i favorshëm për afarizëm, ngaqë janë të inkurajuar me trendin e leverdisë.
“Jemi pesë anëtarë të familjes, i mbajë me këtë punë. Jemi disa punëtore këtu që punojmë, por varet qysh kemi porosi kemi edhe punëtore. Jemi pesë punëtore të rregullta mendojmë me rritë edhe më tej numrin e punëtoreve dhe po ashtu edhe biznesin, besoj se po na shkon biznesi mirë. Është një biznes i ri, i cili ka filluar në janar të këtij viti po besojmë me i rritë kapacitetet e biznesit”, theksoi Haziri.

Edhe Nysrete Berisha punonjëse në këtë punëtori, e cili nuk përton me gatua me brumë, tregon se tetë lloje të piteve i gatuan, ndër to edhe piten e ashtuquajtur me hundë, tradicionale e vjetër që nuk gatuhet aktualisht nëpër kuzhinat shqiptare.

Drejtues të këtij biznesi thonë se si çdo biznes tjetër kanë vështirësi për depërtimin në treg, mirëpo kërkojnë që përmes donacioneve dhe projekteve me donatorët të ndihmohet ky biznes në ngritje të kapaciteteve.

Isuf Berisha zëvendësmenaxher i Arbresha Berishës në “Magjja”, thotë se hapja e këtij biznesi ka qenë iniciativë e grave, për grat e papunësuara, të cilat kanë përvojë për gatimet e shtëpisë.

E në komunën e Gjilanit, zyrtarë të saj, po thonë se Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në këto dy vjet e gjysmë ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, duke i koordinuar punët me biznese dhe duke i evidentuar të gjitha ato mangësitë që i kanë prodhuesit.

Sipas drejtorit të Zhvillimit Ekonomik në këtë komunë, Agim Zuzaku, të gjithë këto mangësi kanë arrit që t’i hartojnë apo t’i shënojnë në një Strategji të zhvillimit ekonomik, Strategji për zhvillimin socio-ekonomik për vitin 2017-2021. Sipas tij, ky është një dokument i cili është aprovuar në fillim të këtij viti nga komuna dhe thotë se është një udhërrëfyes për orientimin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik për komunën e Gjilanit në këto pesë vjet.

Zuzaku shton se tani projekti i fundit është fuqizimi i grave në ekonomi, i cili ka dal si rezultat apo si aktivitet i Strategjisë së Zhvillimit Socio-Ekonomik, që është financuar nga KE.

Back to top button