BQK: Ekonomia e Kosovës pritet të shënojë rritje

Sipas BQK-së, borxhi publik arrin në 942.7 milionë euro

Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ekonomia e Kosovës në vitin 2017 pritet të shënojë rritje reale prej rreth 3.7 përqind.

Kjo rritje, sipas vlerësimeve të BQK-së,  pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të kenë ndikim më të vogël negativ në Bruto Produktin Vendor (BPV) krahasuar me vitin e kaluar.

Të dhënat e publikuara në raportin e Vlerësimit Tremujor të  parë Ekonomisë (TM1)  të këtij viti, BQK-ja ka vlerësuar se eksporti i mallrave arriti vlerën prej 76.4 milionë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 6.2 përqind, ndërsa blera e gjithsej mallrave të importuara arriti në 609.4 milionë euro deri në mars 2017, që paraqet një rritje vjetore prej 8.3 përqind.

Investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 68.4 milionë euro, që paraqet një rritje prej 22.9 përqind krahasuar me TM1 2016. Borxhi publik, sipas të dhënave të BQK-së, ka arritur në 942.7 milionë euro në TM1 2017, që tregon për një rritje prej 18.0 përqind krahasuar me TM1 2016-tës.

Sipas këtij raporti, është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara dhe numër dukshëm më i vogël i ndërmarrjeve të mbyllura.

Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 2,850 apo 46 ndërmarrje më pak se sa në TM1 2016-të, ndërsa u mbyllën 445 ndërmarrje apo 282 ndërmarrje më pak se sa në TM1 2016-të.  Sipas BQK-së, numri më i madh i ndërmarrjeve të reja të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 799 ndërmarrje të reja, pasuar nga sektori i bujqësisë me 350 ndërmarrje dhe ndërtimtarisë me 269 ndërmarrje.

Back to top button