Çka parasheh ligji që synon të përcaktojë fushëveprimin e pushtetit ekzekutiv?

Diskutohet për riorganizmin e ministrive

Në takimin e katërt të Grupit Punues për Ligjin për Qeverinë, në fokus të diskutimit ishin parimet dhe fryma institucionale mbi të cilat do të zhvillohet baza e këtij Ligji i cili synon të përcaktojë fushëveprimin dhe stukturën e pushtetit ekzekutiv.

Më detajisht për çështjet e trajtuara në këtë takim ka treguar Koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri.

“Përcaktimi i portofoliove apo ministrive kryesore në bazë të fushëveprimeve/funksioneve që ato kryejnë apo buxheteve që menaxhojnë;
– Vendosja e kornizave apo kufizimi mbi të cilin nuk duhet të kaloj numri i Ministrive dhe pastaj ti lihet e lirë mandatarit të vendos se cilat Ministri janë të nevojshme për të zbatuar politikën programore të tij/saj.
– Meqenëse, konsiderohet se ky ligj është zgjatje e dispozitave kushtetuese, dhe ashtu sikurse është fryma e ndërtimit institucional, Kryeministri përcakton përbërjen e Qeverisë, andaj është i domosdoshëm një ri-përcaktim i fushëveprimit dhe strukturës. Kjo edhe për faktin se kjo fushë me Legjislacion përcjellës.
– Riorganizimi i Ministrive – të bëhet me akt nënligjor dhe mund të përcaktohet dhe ndryshohet sipas vendimit të Qeverisë dhe kjo të bëhet përmes një metodologjie dhe analize sipas fushëveprimeve/funksioneve dhe përgjegjësive të këtyre institucioneve.
– Rregullimi aktual duhet ti ketë parasysh dy elemente: efikasitetin, efektivitetin e institucioneve.
– Të mbahen parasysh dispozitat kushtetuese që flasin për Menaxhimin e Financave Publike, që paraja publike duhet të mblidhet dhe menaxhohet në mënyrë efikase; mirëpo, përtej numrit të Ministrive, të eliminohen dyfishimet në punën e Ministrive, dyfishimet në sektorë dhe bërje të politikave;
Ishte konstatim që në fazen vijuese të zgjerohen përfshirja dhe konsultimi i drejtperdrejt me ekpertizë dhe akterë të shoqërisë civile.”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Qeveria e Kosovës përbëhet nga 19 ministri dhe 21 ministra, pasi 2 ministra janë pa portofol, gjë e cila e bën Kosovën njërin ndër vendet me numrin më të madh të ministrive në Evropë. Pas Kosovës me numrin më të madh të ministrave në rajon është Shqipëria me 19 ministra, pastaj Serbia me 18, Mali i Zi me 16 dhe Maqedonia me 14 ministra. Edhe shtetet e zhvilluara evropiane kanë më pak ministra sesa Kosova. Franca ka 18 ministra, Norvegjia 15, Gjermania 14, Austria 13, kurse Zvicra ka vetëm 7./21Media

Back to top button