Dëgjim publik për projektligjin për miniera dhe minerale

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Sala Berisha Shala, mbajti sot dëgjim publik për Projektligjin për miniera dhe minerale

Fillimisht, kryetarja Berisha-Shala tha se qëllimi i dëgjimit publik është të merren opinionet e palëve të ndryshme të interesit dhe shoqërisë civile lidhur me Projektligjin për miniera dhe minerale, iniciuar nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Berisha-Shala tha se ndër çështjet kryesore që rregullohen me këtë projektligj janë: aplikimi në një vend (ONE STOP SHOP), rregullimi i hulumtimit dhe shfrytëzimit të gazit dhe naftës, garancitë bankare për mbylljen e minierës dhe rehabilitimin, thjeshtimi i licencave dhe lejeve, kolizionet e këtij ligji me ligje tjera, kufizimet për ushtrim të aktivitetit minerar, shfrytëzimi zejtar i resurseve minerare, çështjet mjedisore, përgjegjësinë dhe llogaridhënien e bordit të KPMM-së dhe përgjegjësia e institucioneve në parandalimin dhe ndalimin e operimeve ilegale.

Tutje me diskutimet e tyre kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, bizneseve dhe atyre të shoqërisë civile, të pranishëm në këtë dëgjim publik, si: përfaqësuesi i KPMM-së, kryetari i Komunës së Obiliqit dhe ai i Hanit të Elezit, përfaqësi i Trepçës, i Odës së Afarizmit, OJQ INDEP etj. Ndër çështjet kryesore që u diskutuan më tepër në këtë dëgjim publik ishin: lehtësimi i procedurave për marrjen e licencave, kufizimet, përkatësisht distancat nga vendbanimet dhe objektet tjera, përfitimet e komunitetit ku zhvillohet miniera, çështjet e shpronësimit, mbrojtja mjedisit, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me sektorin minerar.

Pas një diskutimi të gjerë për këtë çështje, kryetarja e Komisionit kërkoi nga të pranishmit në këtë dëgjim publik, që më së largu deri me datë 2 prill të dërgojnë me shkrim propozime konkrete në Komision, në mënyrë që të kontribuojnë në përmirësimin e legjislacionit minerar.

Back to top button