Deklarata e përbashkët nën thjerrëzën e liderëve

Mungesa e Lëvizjes Besa sërish në qendër të vëmendjes

Në mungesë të Lëvizjes Besa, krerët e partive parlamentare shqiptare, u takuan për të diskutuar se cilat nga pikat e platformave politike, janë përfshirë në programin qeverisës. Takimi zgjati tre orë të tëra, kurse kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ia doli ta përmbledh ecurinë e takimin në një deklaratë prej katër minutave. Ahmeti shprehu falënderimet PDSH-së, për pjesëmarrjen e sotshme, dhe shtoi se një pjesë e përcaktimeve programore të partive shqiptare janë përfshirë në programin qeverisës. Ahmeti i bëri thirrje Lëvizjes Besa, që sa më shpejtë të emëroj kryetar për komisionin për liritë dhe të drejtat e njeriut, shkruan TV21.TV

“Kemi një apel publik për ata, që komisionin e përbashkët për liritë dhe të drejtat e njeriut ta emërojë sa më shpejtë, sepse për ne është shumë me rëndësi që ky komision të funksionoj, sepse kemi çështje që i kemi ngritë, për zbardhje të së vërtetës, sa i përket rastit të Kumanovës, Monstrës, Brodecit dhe rasteve të tjera që kërkojnë zbardhje të vërtetës, dhe tërësisht ky moment është bllokuar nga mos emërimi i kryetarit të Komisionit nga Lëvizja Besa”, u shpreh Ali Ahmeti, nga BDI.

Ahmeti shprehi keqardhje që Lëvizja Besa nuk morri pjesë në këtë takim, por nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se përse nuk ka pranuar që takimi të mbahet në kuvend, nëse ka dashur që edhe Lëvizja Besa të jetë prezentë. Për dallim nga Lëvizja Besa, në takim kishte përfaqësues të PDSH-së. Luan Tresi nga kjo parti, deklaroi se ka ardhur vetëm për të parë se deri ku është avancimi i drejtave të shqiptarëve, pasi që për këtë janë zotuar nënshkruesit të Deklaratës së Përbashkët.

“Nënshkruesit e platformës janë deklaruar se nëpërmjet platformës, do të avancojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, dhe ne vendosë që të marrim pjesë në këtë takim, që më saktësisht të informohemi se deri ku është realizimi i tyre, dhe deri ku janë planet e tyre për të ardhmen”, tha Luan Tresi, nga PDSH.

Tresi shtoi se Partia Demokratike Shqiptare, do ta përkrah çdo iniciativë që është në favor të çështjes shqiptare në Maqedoni./21Media

 

Back to top button