Donatorët dhuruan 174 milionë Euro për Kosovën në vitin 2016

Donatori më i madh vazhdon të jetë BE-ja

Në mbledhjen e Qeverisë, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, prezantoi raportin vjetor të donatorëve, që për vitin 2016, kap shumën e përgjithshme të asistencës prej 174 milionë Euro.

Të dhënat tregojnë se sektori që ka pranuar më shumë ndihmë në aspektin e fondeve të disbursuara është Qeverisja dhe Shoqëria Civile me mbi 57 milionë Euro ose 30%, e të gjithë asistencës zhvillimore të ofruar për Kosovë në vitin 2016.

Sektorët tjerë që kanë pranuar asistencë të konsiderueshme përfshijnë Ujin dhe Kanalizimin me 24 milionë Euro, Arsimi me 17.6 milionë Euro, Infrastruktura dhe shërbimet tjera Sociale me 10 milion Euro dhe Biznes dhe Shërbime të tjera me 9.5 milionë Euro.

Donatori më i madh vazhdon të jetë Bashkimi Evropian, i cili raportohet të ketë kontribuar rreth 61 milionë Euro gjatë periudhës raportuese. Donatori i dytë më i madh është Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila ka disbursuar 33.6 milionë euro, pasuar nga Gjermania me rreth 19 milionë euro gjatë vitit të njëjtë.

Po ashtu, përkrahja finanicare është bërë edhe në komuna, fondet e përgjithshme të alokuara për 38 komunat e Kosovës ka arritur shumën 52.7 milionë Euro.

Hoxha falënderoi të gjithë donatorët për asistencën e tyre për institucionet e Republikës së Kosovës, e cila asistencë po ndihmon reformat dhe zhvillimin e mëtejmë të institucioneve dhe vendit tonë, por gjithashtu theksoi nevojën për koordinimin sa më të mirë të donatorëve që të reflektojnë ndaj prioriteteve të Qeverisë dhe përmbushjen e planit të punës së Qeverisë./21Media

Back to top button