Dorëzohen paditë ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte

Gjakovës i mungojnë rreth 76 persona nga lufta e fundit në Kosovë

Përfaqësues të Zyrës për mbledhjen e fakteve dhe dokumentimin e krimeve të luftës në komunën e Gjakovës i kanë dorëzuar sot Prokurorisë Speciale kontigjentin e nëntë të padive ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999.

Me këtë rast u deklarua se kësaj komune i mungojnë rreth 76 persona nga lufta e fundit në Kosovë.

Shkendije Hoda, udhëheqëse e grupit të shoqërisë civile për komunën e Gjakovës ka thënë se deri më tash kanë dorëzuar mbi 1000 padi. Është shprehur optimiste se këto raste do të zbardhen.

“Nuk dyshoj, nuk dyshoj. Për vetë faktin që po iu ndalohet serbëve, në datën e gjashtë janarit që vinë nën petkun e pelegrinëve, po iu ndalohet hyrja në komunën  e Gjakovës, kjo është një dëshmi që diçka këtu po ndodhë”, ka thënë Hoda.

Së fundmi ky grup ka publikuar edhe libër peticionin “Ne nuk e harrojmë luftën në Kosovë 1998-1999”, në të cilin kanë bashkangjitur fotografi e të dhëna për krimet e luftës në Gjakovë. Hoda ka thënë se përmes këtij peticioni kanë kërkuar edhe nga institucionet ndërkombëtare që ta marrin më seriozisht fatin e personave të pagjetur.

“Në komunën e Gjakovës përafërsisht mungojnë edhe 76 persona, 36 apo 37 janë të qytetit të Gjakovës. Javën e kaluar e kemi bërë edhe një libër peticion, është ky libri që e shihni, i kemi përfshirë fotografitë e krimeve që kanë ndodhur në komunën e Gjakovës, shkatërrimet e qyteteve, domethënë monumenteve dhe shtëpive, shpërnguljet, rrahjet fizike, të gjitha ato dëmet materiale dhe fizike që kanë ndodhur në komunë, i kemi përshkruar në këtë libër dhe ia kemi dërguar personelit të të drejtave të njeriut në Strasburg, njëkohësisht edhe tribunalit të Hagës, Gjykatës Speciale dhe sekretarit të SHBA-ve”, ka thënë Hoda.

Aktivistja Sanije Berisha ka treguar se për djalin e saj është zbardhur rasti, e kjo e ka shtyrë që të merret edhe me rastet e tjera të personave të pagjetur.

“Djalin pas gjashtë vitesh ma kanë sjellë nga Serbia edhe jam shumë e lumtur, se më duket që mund të bëjmë diçka për këta djem, se për djalin tim bëra diçka, çka bëra, që të dalin këta kriminelë, serbët çka kanë bërë, posaçërisht në Gjakovë”, ka thënë Berisha.

Përfaqësues të kësaj zyre kanë apeluar që secila komunë të veprojë si Gjakova në mënyrë që të zbardhen rastet e krimeve të luftës që ndodhën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Back to top button