Dëmtohen me armë zjarri zyrat e PDK-së!

Ende nuk ka ndonjë person të dyshuar

Mbrëmë gjatë orëve të vona, janë dëmtuar me armë zjarri dritaret e zyrës së PDK-së në Skenderaj dhe disa lokale në afërsi.

Policia e Kosovës konfirmon se mbrëmë rreth mesnate zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj janë sulmuar me armë zjarri. Sipas Policisë nga ky sulm është dëmtuar një dritare e zyrave të kësaj partie dhe një dritare e një lokali që gjendet në afërsi të selisë së PDK-së.

“Fatmirësisht nuk ka të lënduar nga ky sulm. Policia po heton për të dyshuarit e mundshëm”, tha Fexhrije Pllana nga Policia rajonale e Mitrovicës për kp.

Ndërsa, Dega e PDK-së në Skenderaj e ka mohuar këtë duke thënë se nuk ka informacione nëse cak i sulmit të mbrëmshëm me armë zjarri ka qenë Zyra e PDK-së në Skenderaj. “Dëmtime nga plumbat më shumë ka pasur lokali ngjitur me Zyrën tonë. E informojmë opinionin publik se ne përjashtojmë çdo mundësi që ky sulm ka ardhur për shkak të pakënaqësive të brendshme”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Back to top button