“Ecja Mentoruese për Kosovë”, fuqizon femrat profesionalisht

Sonte në emisionin Start Up në RTV 21, u fol për projektin “Ecja Mentoruese për Kosovë“

Melita Ymeraga, si drejtuese e projektit, tregoi se ky është një projekt i menduar nga një tjetër projekt më i madh gjithëkombëtar, që është i mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Ajo bëri të ditur se Oda Ekonomike e Grave, si dhe Këshilli i Konsulentëve të Kosovës kanë ndihmuar në përgatitjen e këtij projekti, që sheh shumë gra ndërmarrëse duke mentoruar përfituese të reja që sapo janë futur në fushën e ndërmarrësisë. Qëllimi kryesor i projektit është shkëmbimi i njohurive, që ka munguar ndër vite tek ne. Ky projekt sipas Ymeragës do të jetë iniciativë e përvjetshme, pasi sivjet do të fillojë me 50 ndërmarrëse dhe 50 mentore, ndërsa secilin vit qëllimi është të rritet ky numër.

Linda Baleta, donatore dhe mentore në këtë projekt, ka një përvojë të gjatë në ndërmarrësi, dhe këtë përvojë do ta “shkrijë“ tek e mentoruara e saj, për të ndihmuar në fuqizimin e biznesit të ri. Baleta tenton ta ndihmojë ndërmarrësen e re që ta zgjerojë biznesin e saj dhe të veprojë edhe në pjesë tjera, e jo vetëm në rajonin e saj, shkruan rtv21.tv.

Festina Shabani është ndërmarrësja e re që Baleta do ta ketë nën krahun e saj. Ajo ka hapur kompaninë e saj “Tina’s Roses” para një viti, me ndihmën e një granti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me organizatën GIZ. Shabani tregon se fillimi ishte shumë i vështirë, ngase kishte mungesë përvoje, mirëpo megjithatë ishte një vit i suksesshëm për të. “Tina’s Roses”, merret me dekorimin e vendeve të ndryshme për ngjarje të ndryshme, dhe tregon se fillimisht sigurimi i materialeve ka qenë i vështirë, ngase tregu i Kosovës nuk ofron aq shumë gjëra kualitative.

Edi Daci – Prapashtica, një auditore në “Dukagjini Group”, tregon se në rrugëtimin e karrierës së saj kishte ndihmën e nënës që ka kaluar një jetë në fushën e financave, e këtë ndihmesë ajo dëshiron që t’ua përcjellë këtë përvojë kolegeve të reja. Ajo beson që do të ketë mundësi që ta udhëzojë kolegen të cilën do ta mentorojë, që të mos i bëjë gabimet e njëjta që kjo ndoshta i ka bërë gjatë karrierës së saj.

Edhe Yllka Metaj – Shaqiri është një mentore në këtë projekt. Ajo deklaron se vetë jetesa e kultura kosovare e bën mashkullin më të privilegjuar në avancimin profesional në krahasim me femrën. Ajo beson se deri tani ka qenë e pazakontë që të marrësh këshillë në drejtimin e një biznesi nga një femër, por nuk është e thënë që vetëm një ndërmarrës mashkull mund të tregojë se cila është e drejta apo e sakta. Metaj deklaron se projekte të tilla do të ndihmojnë në fuqizimin e femrës në aspektin profesional./21Media

Back to top button