Edhe Haradinaj në konferencën e sigurisë

Haradinaj vlerëson se Kosova ka shënuar progres të madh në fushën e sigurisë

Përveç kreut të shtetit, Hashim Thaçi e zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, në konferencën e sigurisë në Munchen të Gjermanisë po merr pjesë edhe kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj. Pjesëmarrjen e tij në këtë takim e ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres të madh në fushën e sigurisë.

“Në Konferencën më prestigjioze ndërkombëtare të sigurisë në Mynhen të Gjermanisë, forum ky që mbledhë krerë shtetesh, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, politikbërës dhe vendimmarrës të rëndësishëm, ku do të diskutohet dhe debatohet për sfidat dhe të arriturat në fushën e sigurisë globale. Kosova ka shënuar progres të madh në fushën e sigurisë, duke konsoliduar gjithë infrastrukturën ligjore dhe resurset humane, për të qenë në krah me vendet demokratike, në mision ruajtjen e paqes dhe sabilitetit në rajon dhe në botë.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej ka thënë se kjo konferencë është rast i mirë për ta shpalosur përkushtimin e Kosovës në gatishmëri dhe kontributdhënie për forcimin e paqes rajonale dhe globale, së bashku me partnerët tonë strategjik.

Konferenca e Sigurisë që zhvillohet në Munchen, është një nga më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë në botë, në konferencat e kësaj natyre. Në të takohen rreth 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish dhe 100 ministra, mes tyre kancelarja gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov./21Media

Back to top button