Eurodeputeti gjerman: Asnjëherë nuk mund të luftohet korrupsioni nga të korruptuarit

“Liberalizimi i vizave është pengesa kryesore e shkëmbimit te përvojave në mes të Kosovës dhe Gjermanisë”

Eurodeputeti gjerman, Markus Ferber ka deklaruar se korrupsioni, mos besueshmëria, moszbatueshmëria e ligjeve nga udhëheqësit kosovarë, janë duke e penguar liberalizimin e vizave.

Rrjeti e bizneseve në Bavari “Fondacioni Besa” ka marrë pjesë në takimin e ndërmarrësve gjermanë të mbajtur në Augsburg.

Në këtë takim është diskutuar forma e gjetjes së punëtoreve që duan të punojnë në Gjermani, e posaçërisht në Bavari.

Në diskutim, përfaqësuesi i “Fondacionit Besa”, Ilir Seferi u shpreh i zhgënjyer me mosrealizimin e mundësisë së udhëtimit të kosovarëve pa viza.

Ai pohoi se Republika e Kosovës meqenëse ka një papunësi mbi 30%, një rini të vyeshme dhe tejet të vullnetshme për punë, do të mund të furnizonte tregun bavarez të punës. Gjithashtu ai proklamoi projektin e “Fondacionit Besa” të vitit 2017, ku parashihet që te rinjtë kosovarë të mësojnë profesionin në Bavari dhe pas 3 viteve me investimet e firmave gjermane, të hapin filialet në formën Franchising në Kosovë, ashtu që kjo dije do të përhapej me tutje tek të rinjtë në Kosovë dhe do të kishim investime indirekte të firmave gjermane.

“Liberalizimi i vizave është pengesa kryesore e shkëmbimit te përvojave në mes të Kosovës dhe Gjermanisë. BE është duke na i dënuar prindërit tanë për të na vizituar. Ne tanimë përveç që jemi shtetas gjerman, jemi taksapagues të rregullt. ‘Fondacioni Besa’ punëson mbi 3000 punëtorë”, theksoi Seferi dhe vlerësoi BE është duke përdorur standarde të dyfishta për kosovarët.

Kurse Markus Ferber, deputet në Parlamentin Evropian, theksoi se korrupsioni, mos besueshmëria, moszbatueshmëria e ligjeve nga udhëheqësit kosovarë, janë duke e penguar liberalizimin e vizave.

Ai gjithashtu theksoi se elita politike e Kosovës është duke përdor standarde të dyfishta me popullin e tyre, duke i punësuar familjarët, kurse popullin janë duke e lënë në rrugë.

Ferber gjithashtu theksoi, se asnjëherë nuk mund të luftohet korrupsioni nga të korruptuarit. Ai i numëroi shumë ministra të Qeverisë Haradinaj që janë të korruptuar dhe kane dosje në gjykata, megjithatë vazhdojnë të udhëheqin me vendin.

Ndërsa, Ilir Seferi potencoi se nëse është kështu, atëherë futbollistët francez do të duhej të sanksionohen, pasi që Michelle Platini është i korruptuar.

Sido që të jetë, Markus Ferber theksoi se Parlamenti Evropian është i vetmi institucion evropian, i cili zyrtarisht ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

Back to top button