Gjermania e gatshme ta ndihmojë Kosovën në realizimin e planeve strategjike

U diskutua për progresin që  ka arritur Kosova gjatë këtyre muajve në financa

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë Christian Heldt, me të cilin ka diskutuar për progresin që ka arritur Kosova gjatë këtyre muajve në fushën e financave.

Hamza falënderoi diplomatin gjerman dhe Gjermaninë, si partner strategjik i Kosovës për ndihmën që vazhdon të jep për Ministrinë e Financave dhe agjencitë e saj.

Me këtë rast e njoftoi atë për progresin dhe të arriturat në Ministrinë e Financave për trendin pozitiv të të hyrave gjatë këtij gjashtë mujori, për nivelin e  shpenzimeve buxhetore, si dhe për stabilitetin makro fiskal në përgjithësi.

Ministri Hamza gjithashtu njoftoi ambasadorin Heldt, për reformat në legjislacionin tatimor dhe planet e Ministrisë së Financave për reformat në politikat fiskale, në të mirë të të bërit biznes në Kosovë.

Ndërsa, ambasadori Heldt shprehu gatishmërinë e shtetit gjerman për vazhdimin e bashkëpunimit dhe ofrimin e ndihmës për Kosovën në realizimin e planeve strategjike në fushën e financave.

Back to top button