Gjykata anulon vendimin e AKP-së për Qendrën e Rinisë

Është anuluar vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me anë të aktgjykimit të kolegjit të specializuar, ka anuluar vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për inicimin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Qendra e Rinisë.

Vendimi është marrë më datë 20 qershor dhe sipas një komunikatë të Gjykatës, është mbajtur një dëgjim publik më 15 qershor të këtij viti.

“Paditësit janë kreditorë, të cilët në vitin 2012 kanë marrë një aktgjykim të formës së prerë duke i kompensuar ata për dëmin e shkaktuar pas zjarrit. E paditura NSH nuk i ka përdorur asetet në dispozicion për të paguar, por ka kërkuar të negociojë një zbritje, të cilën paditësit nuk e kanë pranuar. Në vitin 2016, AKP ka iniciuar likuidimin. Gjykata ka konkluduar se inicimi i likuidimit përbën një keqpërdorim të së drejtës procedurale, në dëm të paditësit”, thuhet në komunikatë.

Aktgjykimi është marrë nga kolegji i instancës së parë, i përberë nga tre gjyqtarë dhe hyn në fuqi menjëherë, ndërsa, kundër tij mund të paraqitet ankesë.

Back to top button