Gjykata merr vendim për personin që sulmoi mjekun në Pejë

I pandehuri është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht

Gjykata Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm Penal e ka dënuar me gjashtë muaj burg me kusht të pandehurin M.U, pasi që i njejti ka penguar mjekun gjatë kryerjes së detyrës. Për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth kontrollit mjekësor të bashkëshortes së tij, i pandehuri me forcë dhe kanosje serioze e ka penguar atë në kryerjen e detyrës zyrtare.

“Me datë 08.02.2016, rreth orës 08:30 minuta, në Spitalin Regjional në Pejë, me forcë dhe kanosje serioze pengon personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe atë të dëmtuarin – mjekun E.M nga Peja, në atë mënyrë që, përderisa i njëjti ishte mjek kujdestar në vendin e cekur më lartë, vjen i pandehuri dhe për shkak të një mosmarrëveshje rreth kontrollit mjekësor të bashkëshortes së tij, i njëjti fillimisht shan dhe kanos të dëmtuarin, e më pas vërsulet në drejtim të tij me qëllim që ta sulmojë, ku ndërhyn dëshmitari-tekniku D. Z dhe pas disa orëve i njëjti përsëri vjen në emergjencë duke kërkuar të dëmtuarin dhe atë me sjellje agresive.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate, dënimi ndaj të pandehurit nuk do të ekzekutohet në rast se i pandehuri brenda periudhës 1-vjeçare nuk kryen ndonjë vepër të re penale.

“I pandehuri obligohet të paguajë shpenzimet procedurale dhe atë paushallin gjyqësor në shumë 20 euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë aktgjykimit dhe 30 euro në emër të taksës për programin e kompensimit të viktimave të krimit, në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë aktgjykimit.”, bëhet e ditur më tej./21Media

Back to top button