Grenell pas takimit me Mustafën: Administrata Trump e interesuar për ekonominë në Kosovë

Përfundon takimi Grenell me Mustafën

Pas takimit me Albin Kurtin, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell u nis drejt selisë se Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Atje ai u takua me kryetarin Isa Mustafa, nënkryetarja Vjosa Osmani dhe anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti.

Pas takimit, Grenell i ndau të njëjtat mesazhe si ato pas takimit me Kurtin, shkruan rtv21.tv

Ai ritheksoi se Amerika nuk është e interesuar të përfshihet në çështjet për formimin e qeverisë, dhe rëndësinë e rritjes ekonomike.

Unë e dhashë mesazhin e njëjtë, që është se ne, Amerika nuk jemi të interesuar që të përfshihemi se si do të formohet qeveria, por ajo çka jemi të interesuar është në zhvillimin ekonomik. Unë e ndava vizionin tim për të arritur te qëllimi ku e heqim taksën 100% dhe serbët e ndalin kampanjën për ç’njohjen e Kosovës. Ne shkëmbyem disa ide ekonomike, se si të vazhdojmë përpara dhe si të krijojmë energji për të krijuar vende punë. Kemi biseduar specifikisht për projektin e ardhshëm që do të vij, mendoj se do të kemi disa njoftime në të ardhmen e afërt për progres më të madh në krijimin e vendeve të punës“, tha Grenell.

Administrata Trump, sipas të dërguarit të posaçëm, është e interesuar të sjellë në Kosovë bizneset më të mira.

Vetëm dua të them, se administrata e Trumpit është shumë krenare për zhvillimin ekonomik, uljen e papunësisë dhe çdo gjë tjetër që kemi bërë për të krijuar një ekonomi të mirë, njërën prej më të mirave në botë dhe më të mirën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duam që atë ta sjellim këtu në Kosovë dhe mendoj se ajo fillon me ndalimin e përleshjeve politike dhe në koncentrimin e asaj se cilat janë gjërat që duhet bërë për një pike qëndrimi ekonomik për të sjell biznese të reja në Kosovë, Serbi dhe të gjithë rajonin. Ky është fokusi ynë dhe do t’i sjellim disa nga ato ide këtu”, përfundoi Grenell./21Media

 

Back to top button