Hapen shtigjet për shqipen zyrtare, Xhaferi e dekreton, Ivanov e akuzon për shkelje

Pas një viti, më në fund, ligji për gjuhët dekretohet nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi

Me këtë do të rregullohet përdorimin zyrtar i gjuhës shqipe në vend. Kryetari i Kuvendit ka thënë se “kam pritur një vit kryetarin e shtetit, por se ai ka refuzuar të respektojë detyrimet e tij ligjore”.

“Me bindjen e plotë se jam me të drejtë dhe kam ndërmarrë atë veprim në faktin se unë i kam dhënë mundësi kreut të shtetit për 1 vit sa i përket ligjit për gjuhët dhe 6 muaj sa i përket ligjit për ratifikim të Marrëveshjes së Prespës, që i njëjti të bëjë dhe të zbatojë obligimet e tij. Por ai nuk ka pranuar që të zbatojë obligimi i tij. Për faktin se ai nuk ka pranuar t’i zbatojë obligimet e tija, është kompetenca ime dhe obligimi im që unë ta respektoj kushtetutën dhe ligjet që miraton parlamenti” ka thënë Talat Xhaferi, kryetar i kuvendit.

Dy nënshkrimet e kryetarit të Kuvendit, në Gazetën Zyrtare pa nënshkrim dhe dekret të Presidentit të Republikës së Maqedonisë janë antikushtetues, ka thënë në deklaratën me shkrim presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.

“Mbrëmë vonë patëm mundësi ta shohim fytyrën e vërtetë të koalicionit qeveritar të LSDM-së dhe BDI-së të cilët veten e konsiderojnë për proevropianë. Me dorëzimin e këtyre dy ligjeve në Gazetën Zyrtare, është shkelur neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, derisa shpallja e ligjeve është bërë në mënyrë të paligjshme dhe paraqet bazë për ndjekje penale. Pyes veten, nëse përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët e mbështesin këtë koalicion qeveritar, do të lajmërohen dhe do ta mbështesin këtë mënyrë të miratimit të ligjeve? A do t’i mbështesin këto preçrdentë, që sjellin pasoja të paparashikuara dhe dëm për të drejtën dhe shtetin juridik dhe nëse preçedentë të këtillë zbatohen në shtetet e tyre” ka thënë Gjorgje Ivanov, president i RM-së.

Sjellja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës, nga Qeveria thonë se Ivanov e shkeli Kushtetutën, dhe se demokracia parlamentare patjetër të funksionojë në vend.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë e mbështet vendimin që të dy ligjet të publikohen në Gazetën Zyrtare të RM-së, me nënshkrim të Kryetarit të Kuvendit, duke pasur parasysh shkeljen e Kushtetutës nga ana e presidentit, Gjorge Ivanov. Ivanov kishte për detyrë të nënshkruaj dekretin për publikimin e të dy ligjeve, ndërsa kur ai e shkel Kushtetutën, është e patjetërsueshme që të ndërmerren masa në përputhje me Kushtetutën që të vazhdojë të funksionojë demokracia parlamentare” kanë njoftuar nga Qeveria.

Ligji u miratua para një viti dhe u votua dy herë nga shumica parlamentare, por presidenti i shtetit Gjorge Ivanov refuzoi ta dekretojë me pretendimin se bëhet federalizim gjuhësor i Maqedonisë. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në rast se një ligj nuk dekretohet nga presidenti i shtetit edhe pas votimit të dytë në Parlament, atëherë Presidenti bën shkelje të Kushtetutës. Në këtë rast, personi i dytë i autorizuar për të dekretuar këto ligje është kryetari i Kuvendit./21Media

 

Back to top button