Haradinaj: Do të rregullohet me ligj statusi i zjarrfikësve

Haradinaj vizitoi në Drejtorinë e Përgjithshme të Kosovës dhe në Brigadën e Zjarrfikësve

Brigada e Zjarrfikësve të Kosovës ishte pika e tretë e vizitave të kryeministrit Ramush Haradinaj sonte në institucione të vendit me rastin e festës së ndërrimit të motmotit.

Pas takimeve në pikën kufitare në Merdare, Haradinaj vazhdoi vizitën në Drejtorinë e Përgjithshme të Kosovës dhe nga aty edhe në Brigadën e Zjarrfikësve, pjesëtarët e së cilës i uruoi me rastin e Vitit të Ri si dhe i njoftuar me angazhimet e qeverisë për rregullimin e statusit të zjarrfikësve si institucion i rëndësishëm.

“E di se Kosova ende nuk e ka zgjidhur si duhet statusin e zjarrfikësve në vend. Ka paqartësi të kompetencave ndërmjet komunave dhe nivelit nacional, ose mënyra e organizimit të saj, por shpresoj se në të ardhmen do të rregullohet qëndrueshëm me ligj statusi dhe të aprovohet shkalla e rrezikshmërisë dhe të kujdesemi edhe për mungesat dhe orët e paplotësuara”, tha Haradinaj.

Haradinaj më herët pati deklaruar se Qeveria ka punuar shumë në rregullimin e statusit të zjarrfikësve siç është ndarja e 600 mijë eurove për pagesës shtesë dhe rregullimin e shumës së rrezikshmërisë.

Ndryshe, që nga viti 2000, zjarrfikësit janë kategoria më e anashkaluar dhe më e diskriminuar, i vetmi shërbim që nuk kompensohet për ndërrime për punë natën, për festat shtetërore dhe fetare, me koeficientin më të ulët në vend.

Qe nga viti 2013, zjarrfikësit nuk kanë as adresë se ku t’i artikulojnë kërkesat dhe nuk kanë definim të kompetencave menaxhuese, pasi komunat dhe MPB/AME nuk marrin përgjegjësinë si menaxhues i shërbimit.

Back to top button