Haradinaj e quan të turpshme kërkesën e Brnabiq drejtuar Ramës

Kërkesën e PSD-së për shkarkimin e Rikallos e ka konsideruar legjitime

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkesën e PSD-së për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo e ka konsideruar legjitime. Sipas tij të gjitha kërkesat e PSD-së janë legjitime dhe janë të arsyeshme.

“E kam thënë të gjitha kërkesat që  i kam marr prej PSD-së janë legjitime, si ajo për ligj për dialog, ligji për paga, ligji për financim të partive politike, të skemave pensionale, ata i kanë quajtur ndryshe rikthim të ministrisë se ministri nuk është në punë qe disa kohë…Të gjitha këto kërkesa kanë legjitimitetin e vetë sikurse e patë dje e votuan më Qeveri ligjin për dialogun edhe jemi në proces të temave tjera, por janë legjitime kërkesat, pra kanë bazë, janë të arsyeshme”, ka shtuar Haradinaj.

Duke folur për dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit, kreu i Qeverisë e ka konsideruar të turpshme kërkesën e kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ai është kryesues i dialogut bashkë kryes me zotëri  Ahmeti. Me siguri edhe ata e dinë pra edhe ato afatet kohore dhe si do veprojnë tani unë më shumë nuk mundem me komentua për angazhimet e tyre sepse ata kanë marr besimin e parlamentit. Por Qeveria do i përkrah, ne do u përgatisim materien. Për këtë taksë ju veç e dini ne e mbrojmë sigurinë tonë kombëtare…Ju e shihni që kryeministrja e Serbisë po vazhdon me letra për qeveritë e ndryshme nuk i ka ardhur marre me i dërgua letër edhe Edi Ramës me kërkua tërheqjen e njohjes, derisa Serbia ka këso qasje atëherë kuptohet shumë mirë çka kemi vepruar ne”, ka thënë i pari i Qeverisë.

Këto komente kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i bëri gjatë vizitës që i bëri organizatës “Autizmi Flet”, të cilët kanë vendosur një shtëpizë në sheshin “Zahir Pajaziti” ku përmes saj po e ndihmojnë këtë grup të shoqërisë. Me këtë rast, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka thënë se këta fëmijë kanë talente të veçanta dhe kërkojnë përkujdesje specifike. Haradinaj është zotuar se në vitin 2019 do të shtohet kujdesi i Qeverisë për ta.

Back to top button