Haradinaj i premton përkrahje SHBA-ve karshi Iranit
Haradinaj dënon sulmet e Iranit
Kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit, gjenerali Qasem Soleimani është vrarë nga forcat amerikane në Irak.
Pentagoni ka konfirmuar se ai është vrarë me “vendim të presidentit”.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se “hakmarrje e ashpër i pret kriminelët”, mbrapa këtij sulmi.
Në këtë situatë të tensionuar, kryeministri në largim Ramush Haradinaj, tha se Kosova qëndron e palëkundur në përkrahje të SHBA-ve në të drejtën për vetëmbrojtje.
Haradinaj tutje tha se Irani dhe përkrahësit e këtij shteti duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm që të mos eskalojnë situatën.
“Kosova qëndron e palëkundur në përkrahje të ShBA-ve në të drejtën për vetëmbrojtje. Veprimet e fundit vetëmbrojtëse ndaj Gjeneral Soleiman-it janë mbrojtje, jo vetëm për ShBA-të por për lirinë dhe demokracinë gjithandej. Ne dënojmë ashpër sulmet e Iranit dhe çdo shteti që kërkon të shkatërroj paqen në Irak dhe vendet tjera. Në këto tensione Irani dhe përkrahësit e këtij shteti duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm që të mos eskalojnë situatën. Kosova qëndron pranë Amerikës dhe do ta shtojë përkrahjen ndaj Koalicionit Global të udhëhequr nga ShBA-të”, shkroi Haradinaj në Facebook./21Media