Haradinaj i reagon ashpër Vuçiqit

Deklaratat e Vuçiqit, kryeministri i quajti kërcënuese agresive dhe luftënxitëse

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar sot ndaj deklaratës së fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq dje dha një deklaratë në qytetin e Vranjës në Serbi. Ai tha se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar në Jarinjë dhe Bërnjak.

Haradinaj deklaratën e Vuçiqit e quajti kërcënuese agresive dhe luftënxitëse.

“Këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë”, ka reaguar i pari i ekzekutivit përmes një postimi në “Facebook”.

Kryeministri u zotua se do të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Haradinaj këtë deklaratë e quajti të papranueshme dhe sipas tij paraqet cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës./21Media

Back to top button