Hoti shpreson që marrëveshja LDK-VV të arrihet para konstituimit të Kuvendit

LDK nesër mbledh Këshillin e Përgjithshëm

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti shpreson se këto dy parti do të arrijnë marrëveshje deri në datën e konstituimit të Kuvendit.

Hoti nuk konfirmoi nëse sot mund të ndodhë ndonjë takim mes kryetarëve të dy partive, Albin Kurtit dhe Isa Mustafa.

Ne jemi duke insistuar që të arrijmë një marrëveshje për të qeverisë sa më parë. Një marrëveshje që balancon përgjegjësitë. Ne kemi zhvilluar të gjitha konsultimet e brendshme. Nuk jam në dijeni që është caktuar ndonjë takim. Shpresoj që deri atëherë të arrijmë marrëveshje“, ka thënë Hoti pas përfundimit të konferencës së Demokracisë në Veprim, ku u shpalosën të gjeturat e zgjedhjeve të 6 tetorit.

LDK-ja nesër do ta mbledh Këshillin e saj të Përgjithshëm. Mbledhja është paraparë të mbahet në ora 14:30 në selinë e partisë.

Në këtë mbledhje do të diskutohet për ecurinë e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e mundshëm pas zgjedhor, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit

Kujtojmë se më 26 dhjetor është thirrur nga presidenti i Kosovës Mbledhja e parë e Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Kosovës./21Media

Back to top button