Shpenzimet që bëjnë studentët për udhëtim, banim e literaturë

Shpenzimet që bëjnë studentët për udhëtim, banim e literaturë

ORCA ka publikuar gjetjet e hulumtimit “Shporta e Studentit” i cili tregon shpenzimet e studentëve sipas grupeve të ndryshme shoqërore për të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës.

Hulumtimi ka gjetur se studentët që udhëtojnë çdo ditë për të studiuar në Universitetin e Prishtinës shpenzojnë mesatarisht 129 euro në muaj, ata që banojnë me qira shpenzojnë 220 euro në muaj, ata që banojnë në konvikte 140 euro në muaj, ndërsa ata që banojnë në Prishtinë shpenzojnë 139 euro në muaj.

Ky hulumtim ka gjetur një të dhënë shqetësuese lidhur me pagesat që detyrohen t’i bëjnë studentët për të mundur t’i vijojnë normalisht studimet e tyre.

Hulumtimi ka gjetur se studentët duhet të blejnë me fonde private materiale shpenzuese apo literaturën bazë, e cila nuk gjendet në sasi të bollshme nëpër librari të fakulteteve, që u duhet për studimet e tyre.

Studentët që shpenzojnë më së shumti për materiale shpenzuese gjatë një semestri janë ata nga Fakulteti i Arteve me 133 euro, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës me 122 euro si dhe ata nga Fakulteti i Shkencave Sportive 105 euro.

Gjetja më shqetësuese është se studentët e pothuajse të gjitha fakulteteve të UP-së me përjashtim të Fakultetit Filologjik dhe atij të Shkencave Sportive, kanë raportuar raste kur profesorët shesin librat ku janë vet autorë, ndërkaq një pjesë e tyre blerjen e librit të vet e kanë bërë të detyrueshme për studentët.

ORCA u bën thirrje institucioneve që këtë veprimtari të paligjshme ta parandalojnë përndryshe ORCA dhe aktivistët studentë janë të detyruar të fillojnë me reagimin direkt përmes turpërimit publik të profesorëve që ushtrojnë veprimtari të tilla.