Komisioni vendosi të përmbyllë fazën e intervistimit

Komisioni vendosi të përmbyllë fazën e intervistimit

Komisioni Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala ka diskutuar në lidhje me mënyrën e vazhdimit të punës pas rrethanave të reja të krijuara lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast u tha se komisioni hetimor duhet të vazhdojë punën edhe në legjislaturën e ardhshme dhe mos t’i dërgohet një raporti Kuvendit, por vetëm të votohet një draft ku legjislatura e ardhshme do të kishte një pikënisje për punën e deritanishme.

Komisioni gjithashtu vendosi që të përmbyllë fazën e intervistimit dhe të kalohet në fazën e përpilimit.

Deputetët gjithashtu thanë se edhe pse puna e tyre është përfunduar vetëm 30 për qind, prokuroria ka bazë në dokumentacionet e tyre që të iniciojnë kallëzime penale.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri i paraqiti dy mundësitë që komisioni para shpërndarjes së Kuvendit të paraqesë një raport dhe të votohet ose të vazhdohet hetimi në legjislaturën e ardhshme.

Ymeri tha se ky hetim duhet të vazhdohet në legjislaturën e ardhshme, pasi siç tha, raporti i shpejtë mund të ketë mangësi.

Më mirë është të lihet i hapur për legjislaturën e ardhshme, pasi nëse e përfundojmë shpejt e shpejt raportin, atëherë ai do të kishte mangësi”, tha Ymeri.

Këtë kërkesë e mbështeti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se deri më tani kanë intervistuar vetëm 30 për qind të dëshmitarëve dhe se hetimet duhet të vazhdojnë në mandatin e ardhshëm.

Vazhdim të hetimit në mandatin e ardhshëm kërkoi dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, por tha se edhe me këtë dokumentacion mund të iniciohet procedura penale.

Kërkesë të njëjtë kishte edhe deputeti Milaim Zeka dhe ai i AAK-së Shkumbim Demaliaj.

Në fund u tha se para votimit të mënyrës si të vendoset, duhet të mbahen edhe dy mbledhje për të votuar mbi mënyrën se si do të vendoset.